Kamza largoi nga puna papritur trajnerin Bledar Devolli të dielën në mbrëmje, pas humbjes 1-0 ndaj Teutës në Durrës, ndërsa në dy javët e ndërprerjes së kampionatit kërkon të gjejë patjetër trajnerin e ri, për të rikthyer qetësinë në ekip.
Nuk do të jetë e lehtë gjetja e një trajneri me eksperiencë dhe të gatshëm të marrë drejtimin, pasi është e qartë që në përgjithësi trajnerët duan t’i ndërtojnë vetë ekipet dhe të kryejnë fazën përgatitore. Përveç kësaj, është edhe aspekti financiar në mes, pasi Kamza synon të mos kalojë disa parametra financiarë.
Në orët e paradites u fol për një trajner rus, i cili është kontaktuar nga drejtuesit e Kamzës, por ndërkohë drejtori sportiv Andi Matraxhiu po studion disa pista dhe duket se po tenton të afrojë emra që e njohin mirë Superioren.
Kështu, “Sport Ekspres” mëson se pasditen e sotme është kontaktuar edhe Gentian Mezani, me vlonjatin që vjen nga një sezon fantastik me Laçin. Duhet kujtuar se Mezani e mori drejtimin e Laçit në fund të tetorit vjet, pas largimit të Stavri Nicës, ndaj qartësisht nuk e ka problem të drejtojë një ekip jo të ndërtuar prej tij, mjafton të kujtohet që edhe në Vlorë ka punuar disa herë si trajner i përkohshëm dhe ka bërë një punë të shkëlqyer.
38-vjeçari pati një mesatare prej 1.66 pikësh sezonin e shkuar, ndërsa shkoi deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke qenë shumë pranë trofeut dhe duke e kualifikuar Laçin për në Europa League, një arritje madhështore. Megjithatë, në përfundim të sezonit vlonjati preferoi të ndahej me kurbinasit dhe gjatë verës ka pritur qetësisht, duke pushuar në jugun e Shqipërisë.
Si zakonisht, në Shqipëri fillojnë shpesh “valset” e stolit dhe Mezani ka marrë që tani ofertë nga Kamza, por pasi ka biseduar gjerë e gjatë me drejtuesit kamzalinj, në fund nuk është arritur ndonjë marrëveshje, për arsye të ndryshme. Në këtë mënyrë, Kamza mbetet në kërkim dhe pritet me interes cili do të jetë trajneri i ri.