Kamza simpatike e Matraxhiut dhe Devollit, e re dhe shumë shqiptare

Në Shqipëri shumë pak ekipe guxojnë dhe u besojnë të rinjve: Laçi në Superiore, Apolonia në Kategorinë e Parë, këto janë shembujt e vetëm që vijnë ndër mend, ndërkohë që kushdo tjetër që i imiton, e bën në mënyrë sporadike, pa ndonjë plan.

Këtë verë duket se ka ndryshuar strategji edhe Kamza, që siguroi një mbijetesë heroike sezonin e shkuar dhe tashmë klubi kërkon të punojë për të tashmen dhe të ardhmen.

Trajner është emëruar Bledar Devolli, i cili kërkon të kompensojë me punë dhe energji mungesën e eksperiencës. Nuk kërkon kontrata milionere, nuk kërkon yjet e Superiores, por ka dëshirë të punojë, ndaj shkoi edhe në Kosovë, për të ngjitur KEK-un në Superligë.

Pas Devollit qëndron Andi Matraxhiu, agjenti i njohur i futbollistëve dhe themelues i kompanisë EFA, por tashmë me mision të ri, atë të drejtorit sportiv. Është ai që gjen lojtarët që i kërkon Devolli, është ai që bën bisedimet dhe që bën zgjedhjet më me leverdi për klubin, që deri vjet nuk kishte një person që merrej me këtë punë.

Matraxhiu, në bashkëpunim me drejtuesit e lartë të klubit, duket se ka zgjedhur një strategji të re, pak a shumë si ajo e Laçit, duke u besuar kryesisht lojtarëve të rinj në moshë dhe duke firmosur jo thjesht kontrata një-vjeçare.

Janë larguar disa lojtarë veteranë, aq sa tashmë më i moshuari në skuadër është Erlis Frashëri, i cili në fakt sapo ka mbushur 30 vjeç dhe nuk quhet veteran. Pas tij Idrizaj e Fukui, nga 29 vjeç, ndërsa pjesa dërrmuese e ekipit është 25 vjeç e poshtë.

Ekip i ri, me kosto më të ulët se sezonin e shkuar, por edhe më shqiptar: Koldashi, Sadiku e Peçi janë të gjithë deri në 21 vjeç, të paktën njëri prej tyre shpresohet që të rezultojë një gjetje dhe Kamza do t’ia japë hapësirën e duhur. Malazezi Roloviç i afruar nga Malta është vetëm 24 vjeç dhe nuk ka pretendime financiare të frikshme, ndërsa Çukoviç, Bruno Arrabal e Fukui janë lojtarë me peshë dhe që nuk duhen lëshuar.

Rruga është e duhura, mjafton durim dhe besim, sepse futbolli shqiptar nuk është Premier Liga dhe duhet ta kuptojmë që nuk mund të shpenzojmë miliona pa arkëtuar asgjë. Për fat, FSHF dhe UEFA nuk na bien në qafë, sepse klube me bilance kaq negative do kishin falimentuar me kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online