Ekipi i Kamzës ka nisur fazën përgatitore në qytetin e Ohrit në Maqedoni. Skuadra debutuese e Superiores në këtë sezon do të mundohet të arrijë formën maksimale para fillimit të sezonit. Trajneri Ramadan Ndreu do të ketë 2 javë në dispozicion për të arritur maksimumin dhe për të rritur formën e lojtarëve. Numri një i pankinës ka humbur shërbimet e 3 lojtarëve me nisjen e fazës përgatitore. Mesfushorët Aristotel Koleci dhe Luarts Lame janë larguar nga ekipi i Kamzës, pasi kanë kërkuar që të kenë më shumë hapësira, në të njëjtën linjë është edhe mesfushori tjetër që u afrua po këtë verë Imer Zuna.
KOLECI – LAME – Më të dhimbshme për tifozët e Kamzës janë largimet e Aristotel Kolecit dhe Luarts Lames, pasi të dy kanë vite që luajnë me fanellën e këtij ekipi. Koleci është bashkuar me ekipin e Kamzës në vitin 2012 dhe ka zgjedhur të largohet pas 5 sezonesh me këtë fanellë. Vitin e kaluar Koleci ka luajtur në 19 ndeshje dhe ka filluar si titullar 10 prej tyre duke shënuar edhe 1 gol. Lame është një tjetër beniamin, pasi është bashkuar me ekipin në sezonin futbollistik 2011-2012 dhe zgjedh të largohet pas 6 sezonesh. 24-vjeçari ka luajtur sezonin e shkuar në 15 ndeshje, 9 i ka nisur si titullar dhe ka shënuar edhe një gol. Largimi i të dyve nuk ka qenë i lehtë, por dëshira për të luajtur ka bërë që të marrin këtë vendim.
ZUNA – Një tjetër futbollist që ka preferuar që të vazhdojë karrierën në një tjetër ekip është Imer Zuna. Mesfushori ishte afruar në merkaton e kësaj vere nga ekipi i Ilirisë. Ai shënoi edhe një gol në miqësoren kundër skuadrës së Laçit, por nuk ka mjaftuar për të fituar një vend dhe hapësira në formacion. Duke u gjendur përpara një situate të tillë, Zuna ka menduar të vazhdojë karrierën në një tjetër ekip që mund të luajë më shumë dhe të ketë më shumë minuta në këmbë.