Ka pritur gjatë, por Kamza më në fund ka vendosur të veprojë fuqishëm në treg. Klubi i sapongjitur në Superiore sot ka firmosur me mesfushorin brazilian Bruno Arrabal, ardhur nga kampionati qipriot, por është vetëm fillimi. https://sportekspres.com/goditja-e-pare-e-kamzes-firmos-nje-mesfushor-cilesor-nga-brazili/
Tashmë në Kamzë i janë futur punës dhe “Sport Ekspres” ka mësuar se sot është arritur marrëveshja edhe me portierin vlonjat Argent Halilaj. Ky i fundit u largua para pak ditësh nga Flamurtari, ku u vendos që mos t’i ofrohej kontratë e re, edhe pse sezonin e shkuar 34-vjeçari pati një rendiment të shkëlqyer, me 20 gola të pësuar në 26 ndeshje si titullar. Pas 7 sezonesh si titullar fiks në Superiore, mes Kastriotit, Kukësit e Flamurtarit, tashmë Halilaj e rinis nga Kamza, ku sërish do të jetë pikë referimi, pasi eksperienca e tij e madhe i duhet shumë një ekipi debutues.
Ndërkaq, drejt Kamzës është edhe Taulant Kuqi. Mesfushori 31-vjeçar, i aftë të luajë edhe si qendërmbrojtës, për herë të parë në karrierë lë Vlorën dhe tashmë provon një aventurë të re. Në Vlorë nuk e konsideruan të nevojshëm, duke mos ia rinovuar kontratën këtë verë, ndaj Kuqi nuk ka bërë zë, ka evituar polemikat dhe tashmë është drejt mbylljes së bisedimeve me Kamzën, ku së bashku me Halilajn do të japë një kontribut të çmuar.
Kamza dëshironte edhe Ardit Shehajn, por sulmuesi zgjodhi Teutën.