Çudia e radhës në futbollin shqiptar: Kukësi-Teuta të hënën do të luhet diku, por jo në Kamzë.
Dukej e konfirmuar se sfida do të zhvillohej në stadiumin e Kamzës, sepse ra dakord edhe Kukësi, pavarësisht se dëshironte të luante një ditë më parë, për shkak se të hënën niset për në Mozambik Rexhinaldo.
Megjithatë, tashmë është Kamza ajo që del hapur kundër ndeshjes së Kukësit në stadiumin e saj.
Me një reagim të prerë në faqen zyrtare, presidenti Naim Qarri vë veton: “Nuk ka asnjë shans që Kukësi të luajë në stadiumin tonë!”.
Nuk dihet arsyeja e kësaj thyerjeje, pasi vetëm një javë më parë Kukësi luajti në Kamzë, ku u mund nga Flamurtari, në një stadium thuajse të mbushur. Nëse qëndrimi i Kamzës nuk ndryshon, nuk dihet ku do ta luajë Kukësi ndeshjen kundër Teutës, pasi opsionet janë me pikatore dhe ndoshta përfundon në Shijak, si Teuta-Tirana.