Trajnerë dhe lojtarë të shumtë të transferuar në Kosovë dy sezonet e fundit. Nëse më parë vinin nga Kosova drejt Shqipërisë, tanimë trendi ka ndryshuar. Një tjetër lojtar i Superiores pritet të transferohet përtej kufirit që ndan shqiptarët. Bëhet fjalë për portierin Fabio Gjonikaj.
“Sport Ekspres” mëson se nesër portieri do të zyrtarizohet në skuadrën e tij të re. Prej kohësh e kishte gjetur marrëveshjen, por fillimisht duhet të merrte lejekalimin te Kamza. Tashmë e ka marrë dhe do të prezantohet te Vushtrria, skuadër që pretendon të ngjitet në Vala Superliga e Kosovës.
Portieri ishte një kërkesë e trajnerit Samuel Nikaj dhe drejtuesit ia kanë plotësuar kërkesat Gjonikajt. Sivjet ai luajti titullar te Kamza pjesën më të madhe të ndeshjeve, por në fund ia zuri vendin Ilir Avdyli, portier që në Kosovë ka spikatur me skuadrën e Llapit.