Kur Zhoze Murinjo fitonte titullin kampion me Çelsin në vitin 2015, sezoni pasardhës ishte i mbushur me tension dhe portugezi u pushua nga puna në mesin e sezonit, me spekulime se skuadra i ishte kthyer kundër.
Tani sezoni i ri sapo ka nisur, por në “Stamford Brigde” kanë nisur të mendojnë se titulli është një mallkim. Ndeshja e parë e sezonit, në shtëpi kundër Bërnlit modest, dhe menjëherë një humbje djegëse 3-2. Ishte humbja e parë në ndeshjen hapëse të sezonit pas 18 viteh, një kambanë e fortë alarmi.
Antonio Konte ka gjithë verën që pret blerje të mëdha dhe nuk po sheh reagim nga klubi, nëse përjashtohet Morata, që gjithsesi merr vendin e lënë bosh nga Diego Kosta. Që në debutim Çelsi bëri gjithçka keq, me kartonin e kuq nga Geri Kahill në minutën e 14-të që i hapi rrugën tragjedisë. Bërnli cinik shënoi 3 gola në 19 minuta në fundin e pjesës së parë (Vouks 2 gola dhe Uord tjetrin), ndërsa Alvaro Morata u fut vetëm në minutën e 59-të, duke shënuar 10 minuta më pas dhe duke krijuar golin e shënuar nga David Luiz në minutën e 88-të. Kaq, kthesa e madhe u ndal aty dhe Çelsi e nis me një humbje shqetësuese sezonin.