Dilema se kush është kampionati me i mirë në botë po vazhdon prej kohësh mes La Ligas dhe Premier Ligës. Të dyja këto liga prodhojnë një futboll spektakolar, që tërheq një interes masiv në të gjithë globin. La Liga prej kohësh ka në gjirin e saj yjet më të mëdhenj dhe ky fakt e ka ndihmuar mjaft të konsiderohet si kampionati më i rëndësishëm.
Megjithatë, në vitet e fundit kemi parë një rritje të jashtëzakonshme të Premier Ligës. Ardhja e trajnerëve të mëdhenj dhe nxitja e një konkurence të jashtëzakonshme bën që të vendosemi mes një dileme mjaft të madhe kur na bëhet pyetja se cila është liga më e mirë. Lius Van Gal përpiqet t’i japë fund këtij dyzimi.
Megjithatë, edhe holandezi nuk arrin të japë një përgigje të prerë. Ai shprehet se La Liga është më e mirë taktikisht dhe teknikisht, por Premier Liga është më konkuruese.
“Kampionati anglez është më kompetitiv se La Liga, por jo sepse ka futbollistët më të mirë. Përkundër gjithë nënshkrimeve Anglia nuk ka më të mirët sepse filozofia e Spanjës është të rrisë lojtarë për t’i përdorur në të ardhmen. Klubet angleze blejnë sepse kanë më shumë mundësi financiare, por kjo strategji ka riskun e mospërshtatjes. Taktikisht dhe teknikisht La Liga është më e mira. Por Premier Liga është më konkuruese për shkak të presionit të lartë të kundërshtarit”, u shpreh Van Gal.