Ajaksi i ka bërë të gjithë për vete. Një ekip i mbushur me të rinj, që arrijnë të eliminojnë Realin e Madridit dhe së fundmi Juventusin. “Harkëtarët” jo vetëm fituan dhe u kualifikuan, por e bënë këtë si një ekip i madh. Është loja që bëjnë ajo që i bën njerëzit të dashurohen pas tyre.
Kur u hodh shorti të gjithë shikonin Juventusin si klubin favorit. Sigurisht diçka logjike dhe mjaftonte të shikoje edhe shifrat e shpenzuara nga italianët për ta bërë Juventusin një superfuqi në Europë. Vetëm për Kristiano Ronaldon janë shpenzuar 100 milionë euro.
Ajaksi, me gjysmën e shifrës së mësipërme ka afruar gjithë ekipin. Dalej Blind është lojtari për të cilin është paguar më së shumti: 16 milionë euro. Emra si Van De Bek, De Ligt e Veltman janë produkte të akademisë. Gjithashtu Lase Shëne është marrë si lojtar i lirë, ndërsa Frenki De Jong është blerë për vetëm 1 euro.
Gjithsesi milionat e shpenzuara nuk patën vlerë, pasi në fund Ajaksi ishte skuadra që kaloi në gjysmëfinale të Champions League, ndërsa lojtarët e saj sot kushtojnë shumë herë më shumë dhe gjysma e klubeve të Europës janë vërsulur t’i blejnë.