Kamara nuk fshihet: Teuta do titullin, ja si e mundëm Kukësin!

Seku Kamara vjet provoi për herë të parë Superioren, teksa luajti te Flamurtari. Sulmuesi anësor, i cili është nën kontratë me Besëlidhjen, kaloi në verë në huazim te durrsakët dhe në 15 takime këtë kampionat ka luajtur si titullar. Ai ka shënuar edhe dy gola, një në fitoren kundër Skënderbeut si dhe atë që pati vlerën e një pike me Kukësin.

Në një prononcim për Supersport ai ka folur për situatën që kaloi Teuta në ndeshjet e para të këtij viti dhe triumfin e regjistruar kundër verilindorëve: “Pas barazimeve në tre ndeshje ishim në pozita jo të mira. Humbëm vëmendjen dhe ndaj Kukësit gjetëm motivimin e duhur nga trajneri, tifozët dhe drejtuesit. Për këtë arsye edhe e fituam ndeshjen. Personalisht ndihem mirë dhe jam i motivuar. Po jap gjithçka që të luaj mirë me skuadrën”, deklaron Kamara.

Më tej ai flet për ndeshjen e së shtunës me Luftëtarin: “Fazën e parë të sezonit ne shkuam të fitonim në Gjirokastër, por në futboll nuk i dihet asnjëherë se çfarë ndodh. Kështu që duhet parë se çfarë do të ndodhë këtë të shtunë. Megjithatë besoj se do të fitojmë”.

Në fund sulmuesi anësor ka një mesazh edhe për rivalët: “Sigurisht që duam të shpallemi kampionë, jo vetëm të shkojmë në Europë. Kështu që ndaj Partizanit do të bëjmë më të mirën. Po përpiqemi t’i afrohemi sa më shumë, sepse objektivi ynë është të arrijmë vendin e parë e jo që të luajmë në Europë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *