“Kam emocione më të forta për kuqezinjtë, ndjesi tjetër himni”, Curri kërkon bashkimin: Uroj të kemi një Kombëtare

Debatik Curri ka qenë një nga shtyllat e mbrojtjes së Kombëtares shqiptare, ku ka dhënë një kontribut për tu vlerësuar ndër vite. I ftuar në një intervistë me gazetaren Enxhi Biba në “Euromania” në “Neës 24”, ish-lojtari kuqezi sjell në kujtesë momente nga koha kur ka veshur fanellën e ekipit kombëtar, ku një çast i veçantë është goli kundër Hollandës. Sa i përket krijimit të dy ekipeve përfaqësuese, Curri shprehet me bindje të plotë se përsëri do të kishte zgjedhur Shqipërinë, e madje i mëshon idesë për të pasur vetëm një Kombëtare që përfaqëson gjithë trevat shqiptare.

Goli kundër Holandës: “Ka qenë vitet e mira të para kur fillova të luaja për Kombëtaren, isha i ri dhe sot kur e kujtoj atë gol emocionohem. Është një nder ti shënosh asaj skuadre, në atë kohë ka qenë ndër më të mirat në Europë, me Van Der Sarin në portë. Është një krenari për mua dhe shokët e skuadrës në atë kohë se nuk kam qenë vetëm në ekip”.

Krahasimi i Holandës: “Me thënë të drejtën dallojnë shumë, që nga porta Van Nisteroi, Roben, Van Persi, Shnajder. Holanda e asaj kohe ka qenë shumë më e mirë se kjo e tanishmja. Kemi luajtur dy ndeshje me Holandën në atë kohë dhe kemi dhënë paraqitje fantastike“.

Kombëtarja: “Kombëtarja ka qenë një skuadër me futbollistë që kanë bërë bujë në portë. Kam pasur fatin të luajt me Taren, Hasin, Dyja skuadrat kanë pasur emra dhe futbollistë të jashtëzakonshëm, në dy përballje me Holandën kemi luajtur me dinjitet. Nuk është ajo Holanda që ka qenë në vitet e kaluar, por prapë se prapë nuk është se e pëlqejnë shumë trajnerin dhe do të ketë probleme me skuadrat e mëdha me atë lojë që kanë bërë deri tani“.

Vendimi: “Në atë kohë Kosova nuk ishte pranuar ende në UEFA dhe FIFA dhe të gjithë futbollistët që Shqipëria i donte me i pas në kombëtare, e zgjidhnin Shqipërinë. Tani kanë mundësi zgjedhje, por unë dhe në qoftë se do kthehem prapë me Shqipërinë do të luaja. Jemi rritur me ngjyrat kuqezi dhe ka qenë një ndjesi tjetër kur dëgjonim himnin. Gjithmonë kur i kujtojmë ato momente ndjejmë kënaqësi. Edhe pse kemi marrë një rrugëtim tjetër shpresojmë ta ndihmojmë kombëtaren shqiptare në të ardhmen“.

Ngjasimi me futbollistët e Kombëtares: “Me thënë të drejtën e ndjek Kombëtaren shumë dhe ka futbollistë shumë të mirë që e përfaqësojnë me dinjitet. Jam i pasionuar shumë pas Berat Gjimshitin i cili po bën paraqitje fantastike me Atalantën dhe Marash Kumbulla bashkë janë pikat kryesore të skuadrës. I pëlqej pasi kam luajtur vetë në atë pozicion dhe e ardhmja e kuqezinjve do të jetë e ndritur me ta“.

Kosova: “Normalisht që unë kam lindur në Kosovë dhe familjen e kam këtu, shumë njerëz kanë sakrifikuar për këtë vend deri në pranimin në UEFA. Dëshira ime është t’i shoh të arrijnë në Europian, por kam ndjesi ndryshe kur luan Kosova dhe ndryshe kur luan Shqipëria, pasi për kuqezinjtë kam emocione më të forta“.

Parashikimi: “Mendoj se Kosova kishte një rast fantastik në ndeshjen me Maqedoninë për të arritur në Europian. Kur shoh Maqedoninë me kujtohet Kosova, e cila kishte një ngecje në atë ndeshje. Kosova në qoftë se do i kishte të gjithë futbollistët do të fitonte, e kemi skuadrën më të mirë se maqedonasit. Uroj që në të ardhmen të kemi të gjithë një Kombëtare, por kjo nuk varet nga ne. Shpresojmë që sa më shpejt dhe Shqipëria me Kosovën të marrin pjesë në Botëror ose Kampionat Europian“.

Arnautoviç: “Ju drejtua me një fjalor jo të mirë Alioskit. Shumë mirë bëri UEFA që e dënoi. Njerëzit që e njohin e dinë që brenda fushës del ndonjëherë nga vetja, por të tilla gjeste duhet të dënohen. Mesa kam dëgjuar, Arnautoviç ka shumë shokë shqiptarë ndoshta ka dashur të mësojë ndonjë fjalë shqip, nuk e di pse reagoi ashtu“.

Shqipëri-Serbi: “Ajo ndeshje ishte ndryshe, nuk ishte sjellje serioze nga tifozët. Që nga hyrja në stadium deri tek himni që nuk dëgjohej fare. Ka qenë shumë e tepërt për një ndeshje futbolli. Unë kam përjetuar dhe luftën dhe e prisja një reagim të tillë. Futbollistët ishin mësuar në Europë dhe besonin se nuk do të kishte veprime të tilla, pasi serbët si popull kanë një urrejtje të paparë ndaj shqiptarëve. Aty nuk kishte racizëm, kishte urrejtje e paparë. I kam thënë presidentit të federatës shiko si reagojnë, donin të hynin në fushë që në atë kohë”, ka deklaruar Debatik Curri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *