Nikola Kaliniç tashmë është edhe zyrtarisht i Milanit, pasi kreu kontrollet mjekësore dhe dhe është prezantuar sot, duke firmosur në kontratën që e lidh me klubin kuqezi deri në vitin 2021, fillimisht në huazim nga Fiorentina, por me detyrim blerjeje.
Administratori i deleguar kuqezi, Marko Fasone, ka mbyllur praktikisht merkaton: “E kishim humbur pak ritmin kohët e fundit, por me Kaliniç besoj se e kemi kompletuar skuadrën. Kemi mbërritur në 11 blerje dhe Nikola kaqenë përforcimi me historinë më të gjatë dhe të vështirë. Nëse jemi këtu së bashku, kjo ka ardhur sepse ai dëshironte me çdo kusht Milanin, e dashuron këtë fanellë dhe këtë lojtar dëshironim, për eksperiencën dhe cilësinë që ka. Me Kaliniç, Bonuçin dhe Bilian kompletojmë shtyllën kurrizore të skuadrës”.
Drejtori Mirabeli “kërcënoi” Kaliniçin: “Kemi dy muaj që punojmë për ta marrë, e tregoi sa e do Milanin. Tani të fillojë të shënojë, sepse përndryshe do ta kthejmë pas”.
Ndërkaq, Kaliniç nuk e fshehu gëzimin e tij: “Jam shumë i lumtur, tani nis një cikël i ri dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Do të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin që të fitojë. Kam folur 5 minuta me Montelën dhe ai më ka thënë që ishte i kenaqur me transferimin tim. Nuk ndiej presion nga San Siro, jam i përqendruar te futbolli im. Zgjodha numrin 7 sepse numrin 9 e ka marrë Andre Silva.”