Nikola Kaliniç nuk përjetoi një eksperiencë të mirë te Milani, ndërsa gjatë verës kaloi tek ekipi i Atletiko Madrid. Sulmuesi kroat ka dhënë një intervistë për spanjollen “AS”, ku komenton mbi fillimet e karrierës, klubin aktual, problemet te kuqezinjtë.
30-vjeçari zbulon idhullin e tij, ndërsa nuk ka shumë dëshirë të komentojë përjashtimin nga Botërori, ku u dërgua në shtëpi nga trajneri Daliç, pas refuzimit për t’u futur në lojë në minutat e fundit të njërës prej ndeshjeve në grup.
ATLETIKO MADRID – “Jam i lumtur tek Atletiko. Nuk kisha luajtur kurrë në Spanjë, ndërsa isha aktivizuar më parë në Angli dhe Itali. Kam ardhur këtu me shumë entuziazëm dhe do të përpiqem të bëj më të mirën për ekipin.”
FILLIMET E KARRIERËS – “Në moshën 9-vjeçare u bëra pjesë e Hajdukut të Splitit dhe luaja me lojtarë më të mëdhenj në moshë se unë. E dashuroj Hajdukun, aty u rrita dhe është klubi i vendit ku kam lindur.”
IDHULLI – “Jam frymëzuar shumë nga Ibrahimoviç. E dashuroj atë tip sulmuesi. Nuk mund të bëj atë çfarë arrin të bëjë Ibra, askush nuk e bën dot, por më pëlqen ta shoh duke luajtur.”
MILANI – “Ishte një situatë e vështirë. Nuk arrita të bëja fazën përgatitore me ekipin. Po stërvitesha vetëm në Split në pritje të transferimit dhe mbërrita në Milanelo, pasi kishte filluar kampionati. Më pas pata disa probleme fizike. Milan është një ekip i madh, e mësuar të fitojë dhe të luftojë për tituj. Një gjë e tillë kërkon rezultate pozitive, por ata i donin shumë shpejt. Kishin ardhur 11-të lojtarë të rinj në ekip dhe duhet kohë për të ndërtuar një gjë të tillë. I uroj më të mirat kuqezinjve dhe e meritojnë të luftojnë për zonën Champions.”
PËRJASHTIMI NGA BOTËRORI – “Është folur shumë për këtë temë. Ai episod është pjesë e së kaluarës dhe dua për momentin jam i përqendruar tek Atletiko. Ajo çfarë ndodhi është një histori e gjatë.”
GATUZO – “Xhenaro është i pabesueshëm. Jashtë fushave është një person shumë simpatik, tregon barcaleta, por kur nis stërvitja, jep gjithçka dhe kërkon të njëjtën gjë. Ai të shtyn të japësh maksimumin. Është i çmendur, por në kuptimin e mirë të fjalës. Ai është një njeri i madh dhe mendoj që Milani do të arrijë larg me Gatuzon në stol.”