“Kur e pashë për herë të parë vura duart në kokë: fytyrë engjëllore, syze, flokë të krehur, mungonin vetëm librat. Mendova se kishim marrë një student. Në stërvitjen e parë me ne isha gati ta pyesja: i ke lajmëruar prindërit se sot nuk ke shkuar në shkollë? Më pas zbriti në fushë dhe hapu qiell… hapu me të vërtetë!”
Kështu e përshkruan Karlo Ançeloti stërvitjen e parë të Rikardo Kaka me kuqezinjtë. Ishte viti 2003 dhe pjesa tjetër është histori. Braziliani ishte një nga lojtarët më të fortë të Milanit të fundit fitues dhe spektakolar, ndërsa në vitin 2007 fitoi dhe “Topin e Artë”.
Përveç talentit të madh dhe inteligjencës që zotëronte në fushën e blertë, Kaka ishte nga ata lojtarë që e dashurojnë të gjithë dhe ishte e vështirë t’i gjeje ndonjë defekt. Braziliani ishte dhe një besimtar i devotshëm, vazhdon të jetë dhe i “shokoi” të gjithë me deklaratën që e kishte ruajtur virgjërinë e tij për ditën e martesës.
U tha, u bë! Ai u martua me Karoline Seliko me 23 dhjetor të vitit 2005 në një kishë të Sao Paulos. 36-vjeçari i është rikthyer dhe njëherë episodit të veçantë, ndërsa thekson se sot nuk do e kishte bërë publike një sekret të tillë. Ai nuk është penduar, por kohët kanë ndryshuar dhe sot sekreti i tij nuk do ishte marrë vesh nga të gjithë.
“Sot do të shprehesha ndryshe. Ka disa gjëra në kohët e sotme, kryesisht në rrjetet sociale, aty ku komunikon me shumë njerëz. Nuk pendohem për mënyrën me të cilën mbërrita në martesë, por sot do e mbaja sekret për vete atë fakt, për të ruajtur veten nga spekulimet dhe batutat”, përfundon Rikardo Kaka prononcimin e tij për “SporTV”.