Eksperimentet duket se kanë marrë fund dhe Juventusi është kthyer të bëjë Juventusin. Luhatjet po hidhen pas krahëve dhe Pirlo duhet të kënaqet me arritjen e tij të rëndësishme deri më tani me bardhezinjtë. Bardhezinjtë kanë eliminuar Interin mbrëmjen e sotme dhe kanë prekur kështu finalen e Kupës së Italisë.
Ndeshja e parë përfundoi me fitoren 1-2 të “zonjës së vjetër“, që sot i është dashur vetëm të mbajë portën e paprekur. E kur vjen situata për një detyrë Juventusi di më mirë se kushdo tjetër të veprojë. Takimi i kthimit mes dy gjigantëve italianë ka përfunduar me shifrat 0-0, megjithëse të dyja ekipet kanë pasur shanset e tyre përgjatë 90 minutave. Pirlo kthen tashmë sytë nga përballja e nesërme mes Napolit dhe Atalantës, aty ku do të përcaktohet rivali i tyre në finale./Halit Delibashi-Sport Ekspres/