Juventusi është shembulli për Longon, fitoret e Kukësit që nuk duhen anashkaluar në kryerjen e “detyrave të shtëpisë”

Kukësi është rikthyer në ditën e djeshme që të fitojë me shifrat e thella 4-0 ndaj Kastriotit. Gligorov, Gjelbrim Taipi, Basha dhe Bahtiri ishin autorët e golave për verilindorët. Një fitore që në fakt kaloi me pak vëmendje, për më tepër ju faturua më shumë cilësive të pakëta të Kastriotit sesa meritave të verilindorëve.

Si një trajner që gjithmonë e pëlqen krahasimin me Serinë A, duke e shprehur edhe në intervistat e tij në vendin tonë, Longo mund ta shoh shembullin edhe te Juventusi. Kjo skuadër dominoi prej vitesh në Itali duke bërë detyrat ndaj ekipeve “të vogëla”. Nëse arrin t’i marrësh gjithmonë maksimumin këtyre skuadrave, atëherë të lejohet edhe një ditë e keqe ndaj një rivali direkt, madje edhe ajo humbje 4-0 ndaj Tiranës.

Po flasim për Kastriotin që në javët e fundit fitoi 2-0 ndaj Dinamos, fitoi 2-0 ndaj Teutës dhe barazoi 1-1 në transfertë ndaj Partizanit. Pra tre pikët që Kukësi arriti t’i merrte, nga ana tjetër Dinamo, Teuta dhe Partizani nuk mundën dot.

Nëse shohim 5 humbjet në total të Kukësit në këtë kampionat, vetëm 1 prej tyre ka ardhur ndaj një kundërshtari që në fillim të kampionatit shihej se do të luftonte për mbijetesë, pavarësisht sesi ka shkuar historia e Superiores. Bëhet fjalë për humbjen në transfertë ndaj Skënderbeut me shifrat 2-1, atëherë kur Kukësi thjesht ndaloi së luajturi futboll për 90 minuta.

A do të japi rezultat kjo formulë ashtu si edhe në Serinë A? Sigurisht që ndryshimet janë të mëdha pasi formati ynë është mes 5 ekipeve pretendente dhe 5 ekipeve që ndodhen në gjysmën e dytë të tabelës. Por logjika qëndron e njëjta, fitimi maksimal i pikëve “të detyruara” në letër të dërgon më afër drejt vendit të parë. Zakonisht është cilësi dhe mentalitet i ekipeve kampione, nuk është për t’u nënvlerësuar. Në fund, Kastrioti, Skënderbeu dhe Egnatia do t’i heqin pikë shumë skuadrave që kërkojnë vendet e sipërme. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *