Junajtid pa Champions? Zbulohet klauzola që boshatis xhepat e lojtarëve

Kontrata e një futbollisti profesionist është tepër komplekse. Në të janë të përcaktuara qartë klauzola pafund. Pretendimet e lojtarëve janë rritur, por edhe klubet nuk i lënë gjë rastësisë.

Ky sezon nuk ishte aspak pozitiv për Mançester Junajtid. Në fillim problemet e mëdha me Murinjon, ndërsa Solskjaer i befasoi të gjithë me uljen e tij në stol.

Te “Djajtë e Kuq” filluan të funksiononin gjërat dhe rezultatet ishin shumë pozitive. Megjithatë, ekipi u zhyt përsëri në krizë dhe në fundjavë erdhi ndalesa e çuditshme kundër ekipit të vendit të fundit.

Barazimi kundër Hadërsfilldit të rënë nga kategoria qëlloi fatal për Junajtid, që i dha fund shpresave për një kualifikim në Champions Ligë. Diçka e tillë është fatale për financat e klubit, por edhe për xhepat e lojtarëve.

“Daily Mail” ka zbuluar një klauzolë që përfshinte të gjithë lojtarët: nëse nuk arrihet një nga 4 vendet e para, klubi do të mbajë 25% të rrogave të ekipit. Diçka e tillë bëhet për të zbutur sadopak humbjet e mëdha nga mos aktivizimi në kompeticionin më të rëndësishëm për klube sezonin e ardhshëm.

Ai që preket më shumë është Pol Pogba. Francezi do të përfitonte 1.875 milionë sterlina bonus nëse ekipi do të kualifikohej në Champions, por tani duhet ta harrojë atë shumë.

Ndryshimi i rrogave të 5 lojtarëve më të paguar të Mançester Junajtid

Aleksis Sançez: Nga 500 mijë sterlina në javë – 375 mijë sterlina në javë
Pol Pogba: Nga 300 mijë sterlina në javë – 225 mijë sterlina në javë
Romeo Lukaku: Nga 250 mijë sterlina në javë – 187 mijë sterlina në javë
David De Gea: Nga 200 mijë sterlina në javë – 150 mijë sterlina në javë
Fred: Nga 175 mijë sterlina në javë – 131 mijë sterlina në javë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *