Juliano: Formacionin e mësoni nesër, jemi gati të luftojmë për titull

0

Mark Juliano ka zhvilluar sot konferencën e parë për shtyp në prag të një takimi zyrtar në drejtimin e Partizanit. Trajneri italian ka folur natyrisht për ndeshjen e nesërme kundër Laçit, rival të cilin natyrisht nuk e njeh: “Kemi pasur vështirësi për të studiuar Laçin, duke parë që ka pësuar disa ndryshime nga sezoni i kaluar dhe nuk kemi pasur mundësi për të ndjekur ndonjë ndeshje që ata kanë zhvilluar gjatë përgatitjeve. Fatmirësisht, bashkëpunoj me një staf, si shqiptar ashtu dhe italian, të cilët më kanë mundësuar të gjitha informacionet e mundshme për këtë skuadër, që është mjaft cilësore”.

Shqetësimet: “Kemi disa lojtarë me probleme fizike, por mendoj se grupi që kam aktualisht në dispozicion për ndeshjen me Laçin do të bëjë më të mirën.”

Laçi dhe sezoni i fundit: “E di që disa futbollistë nuk e kanë harruar akoma atë zhgënjimin me Laçin në sezonin e kaluar, që solli humbjen e titullit, por mendoj që e rëndësishme është që ne të japim më të mirën në fushë. Ky është një kampionat i ri, një skuadër e re ku janë afruar mjaft elementë të tjerë. Ashtu si në sezonet e tjera dhe në këtë sezon Partizani do të hyjë si një skuadër e madhe në kampionat. Do të bëjmë gjithçka për të fituar çdo ndeshje. Synimi është të shkojmë te titulli, sepse pritja ka qenë tepër e gjatë.”

Formacioni: “Nuk jap asnjë indicie, do të shihni gjithçka kur të zbresin skuadrat në fushë. Kemi një organikë të fryrë dhe do të ketë hapësira për të gjithë, gjatë sezonit”.

Çani nuk luan: “Vjen nga një operacion dhe po vazhdon fazën e riaftësimit. Programi i tij stërvitor është specifik, por do të luajë në kupë”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.