Xhani Infantino, presidenti i qeverisë botërore të futbollit (FIFA), ka folur gjatë për spanjollen “AS”, rreth kompeticionit më të ri: Kupës së Botës për Klube, që zëvendëson Kupën e Konfederatave. Edicioni i parë do të nisë në vitin 2021, do të marrin pjesë 24 ekipe, të ndarë në tetë grupe me nga tre skuadra, ku vetëm fituesit do të sigurojnë një vend për në fazën çerekfinale.
Ideja e kreut të FIFA-s është kundërshtuar nga shumë klube europiane. Shtatë vota kundër, kryesisht nga UEFA, pati gjatë votimit të ditë së djeshme. Infantino ka besim se ky konflikt do të zgjidhet, nis e sqaron formatin e ri dhe fitimet e shumta dhe beson fort te suksesi i kompeticionit të ri.
Infantino komenton dhe idenë e rritjes së ekipeve në Botërorin Katar 2022, nga 32 në 48 ekipe kombëtare pjesëmarrëse. Shtimi i numrit mund të bëjë që disa ndeshje të zhvillohen në ndonjë shtet tjetër të Lindjes së Mesme, por kjo gjë është në dorën e Katarit, vendit organizator.
RISIA – “Jam shumë i lumtur për miratimin e zgjerimit të Kupës së Botës për Klube me 24 ekipe, duke filluar nga viti 2021. Kjo do të ketë një impakt të madh në futboll, pasi kompeticioni i ri do të jetë prestigjioz dhe emocionues. UEFA na ka kundërshtuar, por sapo të miratohet turneu i ri, do të arrijmë një akord me Ceferin (presidenti i UEFA-s) dhe klubet europiane në ditët e ardhshme.”
VENDI – “Kupa e Botës për Klube do të zhvillohet me 24 ekipe çdo katër vjet, në datat e Kupës së Konfederatave. Edicioni i parë nuk do të zhvillohet në Katar, pasi qershori dhe korriku janë shumë të nxehtë. Nuk e dimë akoma se ku do ta zhvillojmë edicionin e parë, por dimë që do të jetë një kompeticion spektakolar. Do ketë një format prej 8 grupesh me nga 3 ekipe. Do të marrin pjesë skuadrat më të mira europiane. Spanja ka konfirmuar Realin dhe Atletikon e Madridit. Presim edhe Barcelonën.
UEFA po heziton, por Ceferin e di që klubet më të mira duhet të marrin pjesë në kompeticionin më të mirë. Po flasim për një kompeticion që do të zhvillohet në 18 ditë çdo katër vjet. Mbaj mend se kur u krijua Champions Liga, romantikët flisnin për fundin e magjisë së kupave europiane. Sot është vërtetuar se e kishin gabim. Jam i sigurt që UEFA, ECA dhe FIFAPro do t’i bashkohen këtij kompeticioni, që do të gjenerojë fitime të mëdha ekonomike për klubet.”
BOTËRORI – “Ka mundësi që ta zgjerojmë Kupën e Botës Katar 2022 nga 32 në 48 kombëtare. Në fillim duhet të bisedojmë me Katarin. Unë mendoj se disa ndeshje mund të zhvillohen në ndonjë shtet tjetër të Lindjes së Mesme, por këtë gjë duhet ta miratojë Katari. Ata po e marrin parasysh diçka të tillë. Meqë qëndrimi është pozitiv, atëherë, le ta provojmë.
Mendoj se mund të organizojmë një Botëror me 48 ekipe në vitin 2022. Do ta bëj një propozim konkret në qershor, në Asamblenë që do të mbahet në Paris. E di që situata në Lindjen e Mesme nuk është ideale, por futbolli mund të japë një ndihmë të madhe. Botërori 2022 nuk është i rëndësishëm vetëm për organizatorët, por për të gjithë zonën. Formati me 48 ekipe do të jetë më spektakolar.”