Kanë mjaftuar pak ndeshje që Kristof Piatek të bëjë për vete tifozët e Milanit dhe të kthehet në një idhull për ta. Polaku po kalon një formë të mrekullueshme dhe ka shënuar 4 gola në tri ndeshjet e para me ekipin e “Djallit”.
Në “San Siro” ka kohë që nuk e shohin një sulmues të tillë, ndërsa ekipi i Gatuzos është kthyer i fortë e konkurrues dhe po bën maksimumin për të siguruar rikthimin në Champions Ligë. Golat e Piatek janë shpresa e madhe e tifozëve, por 23-vjeçari mund të mos jetë polaku i vetëm që luan me Milanin.
Drejtuesit e klubit po vazhdojnë punën për gjetjen e elementëve cilësorë dhe janë fokusuar te një 16-vjeçar. Ai quhet Bartosh Zinek, në mars feston 17-vjetorin e lindjes, luan në rolin e organizatorit dhe është pjesë e ekipit U19 të Zaglebie Lubin, klubi i parë me të cilin Piatek luajti në kampionatin polak.
Zinek është një lojtar tepër premtues, kështu që Milani është gati të sigurojë shërbimet e tij. Skautët e klubit italian po e ndjekin nga afër adoleshentin e talentuar, i cili ndodhet për momentin me kombëtaren U17 polake në Marbeja të Spanjës.
Ai do të zbresë sot në fushë përballë bashkëmoshatarëve sllovakë me qëllimin për të zhvilluar një ndeshje të madhe për të bindur përfaqësuesit e Milanit. Zinek u shpall lojtari më i mirë në një turne të zhvilluar në dhjetor në Kroaci, pavarësisht se Zaglebie e tij u ndal në finalen përballë Dinamos së Zagrebit.