Tirana po zhvillon në Ohër fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm. Deri më tani merkato e kryeqytetasve është më mbresëlënësja ndër ekipet e Superiores me emra si Osmani, Batha, Torasa, Kale dhe Dunga që sezonin e ardhshëm do t’i shohim me fanellën bardheblu. Megjithatë, 24 herë kampionët e vendit nuk po mendojnë vetëm për emrat “big”.
Në takimin miqësore të zhvilluar ditën e djeshme ndaj Renovës, trajneri Ardian Mema hodhi në fushë nga minuta e parë Dionis Çikanin dhe Gerhard Hasën, të dy lojtarët ndodhen në provë dhe do të përpiqen të bindin stafin për të qenë pjesë e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Çikani 20 vjeç dhe Hasa 22 vjeç aktivizohen të dy si sulmues anësorë. Mëngjarashi Çikani është aktivizuar gjatë sezonit të kaluar në ekipin rezervë të Tiranës, ndërsa ka pasur dhe një eksperiencë në kategorinë e katërt spanjolle me skuadrën e Torre Levantes. Hasa ka qenë më parë pjesë e Partizanit B, Dinamos dhe Tiranës B në sezonin 2016/2017.