Futbollisti shkodran: Kalova dy vite interesante në Shqipëri. Tani firmos kontratën e fundit të karrierës. Kam nisur kurset për trajner
Gjergji Stefa
Hera e fundit – në fakt zyrtarisht e vetmja – që ka marrë një karton të kuq, përkon me sezonin 2008-2009. Ishte ndeshja Matersburg-Ried. Praktikisht ka marrë dhe një të kuq tjetër, atë në ndeshjen e fundit të tij në futbollin shqiptar, pas rikthimit me Skënderbeun. Në Kukës, aty ku kartonin e kuq e grisi në shenjë proteste për vendimet arbitrare të asaj sfide. Hamdi Salihi ka vendosur zyrtarisht të mos e vazhdojë karrierën në Shqipëri dhe sigurisht që arsyeja kryesore nuk ishte ajo çka ndodhi në Kukës. Është 32 vjeç dhe do nënshkruajë kontratën e fundit “të majme” në karrierë. Më pas, trajner dhe një jetë e qetë në Vjenë.
Hamdi, ti që gris kartonin e kuq në fushë, është një video që ka bërë xhiron e botës. Besoj se nuk ndihesh shumë krenar, kur e sheh?
Asgjë nuk ndodh rastësisht, por patjetër që në futboll ka edhe doza emocionaliteti. I kam kërkuar falje opinionit për atë gjest, por ky sport ndonjëherë të bën të dalësh nga natyra. Gjithsesi, nuk do e ribëja.
Pas dy vitesh në Shqipëri, me sa duket, ka ardhur momenti për t’u larguar sërish?
Besoj që është momenti i duhur. Rikthimi në Shqipëri nuk ishte një strategji. Gjërat rrodhën natyrshëm. Luajta në Kupat e Europës, me Skënderbeun shkuam deri në grupe. Më pas, OK, duke pasur edhe miqësinë me presidentin, vendosa të luaj edhe një vit tjetër. Ky është moment i duhur për t’u larguar sërish. Misioni u përmbush.
Gjatë këtyre dy viteve, çfarë ndodhte me ty dhe me merkaton?
Shiko, ofertat nuk kanë munguar asnjëherë, por nuk lëviza. Ndikoi pak fakti që po bënim mirë, më pas dhe marrëdhëniet me Skënderbeun, qoftë dhe një lloj sfide personale për të vazhduar sa më lart me këtë skuadër. U mblodhën të gjitha.
Çfarë note do t’i vinit aventurës me bardhekuqtë?
Shumë emocionuese. Kontribuova madje me gola, që për herë të parë një skuadër shqiptare të luajë në grupet e Europa Ligës dhe kjo është një mrekulli. Në këtë drejtim, ia vlejti shumë ky angazhim.
Po kampionatit në përgjithësi?
Kur je jashtë, thua me vete: Shqipëria aty është, shkoj aty dhe bëj diferencën. Është shumë e vështirë në realitet. Është një ambient disi alogjik, sepse ndoshta klubeve u duhet ende shumë punë për t’u rritur edhe më. Kam parë në Shqipëri lojtarë shumë të mirë, që nuk shprehen dhe lojtarë mediokër, që janë në qendër të vëmendjes. Besoj është kalimtare. Progresi është i dukshëm. Klubet tona në kupat e Europës kanë fituar besim, ndërkohë që shikueshmëria më duket e lartë. Më pas janë bilancet, buxhetet, shitja e lojtarëve, por kjo është temë shumë e gjatë.
Hera e fundit, që je larguar nga Shqipëria, ka qenë dhjetori i 2006-ës. Ky duket një tjetër largim?
Atëherë ishte ndryshe. Isha pjesë e Tiranës, që u shpall kampione, kisha shumë yje në ekip. Shkova në Ried, një qytet i vogël, por që më mësoi shumë gjëra, jo vetëm nga futbolli.
Tirana sot ka rënë nga kategoria…
Keqardhje e madhe, sepse ai klub, ashtu sikundër pa asnjë diskutim edhe Vllaznia, janë në zemrën time, sepse kam kaluar momente shumë të mira. Të gjithë te Tirana, duke filluar nga presidenti, janë miqtë e mi.
Vjenë, Tel Aviv, Uashington, Kinë. Si vazhdon karriera juaj?
Në këto ditë pushimesh kam qenë në mëdyshje. Ta lija futbollin e madh, të jetoja në Vjenë dhe të luaja me një skuadër më të vogël dhe të bëhesha edhe trajner, apo të luaj dhe dy vite në nivele të larta. Vendosa, pas konsultave me familjen, për këtë të dytën.
Çfarë ju tha familja?
Familja ime, bashkëshortja dhe fëmijët, kanë bërë një sakrificë të madhe këto dy vite. Skënderbeu ka një sistem grumbullimesh, ku je gjithnjë me çantë në krah. Në sensin që grumbullimet bëhen në Durrës, ndeshjet në Korçë e më pas transfertat. Shumë nga lojtarët e Skënderbeut kalojnë shumë kohë larg familjeve dhe për këtë duhen vlerësuar. Vajza ime është 4 vjeç dhe të paktën derisa ajo të shkojë në shkollë mund të luaj sërish në nivele të larta. Pastaj, më duket vetja shumë i ri për të mos përfituar edhe një tjetër kontratë të mirë.
Praktikisht, ku do shkoni?
Besoj se në Izrael, kam aty dy opsione shumë të mirë për të luajtur këtë sezon dhe ndoshta brenda pak ditësh do ta mbyll aty.
Po më pas?
Kam nisur kursin A për trajner dhe besoj që në të ardhmen mund të bëhem trajner. Kam pasur një opsion në Austri për të luajtur në një skuadër të Ligës së tretë dhe njëherësh të bëhesha pjesë e stafit teknik, por e shtyva këtë vendim për pas 1 ose 2 vitesh. Sigurisht, është një mundësi e mirë, nuk e kam fshehur kurrë që nëse do ishte për mua, do jetoja gjithnjë në Vjenë, sepse e adhuroj si qytet.
Ti te vesh atje po do turperoesh