Marsel Ismajlgeci luan si mbrojtës i majtë dhe shumëkush që e ka parë të luajë do të mendonte se ka idhull brazilianin Marselo. I riu i Tiranës ka një goditje potente dhe i pëlqen shpesh dalë përpara. Vjet me të rinjtë Matko Djarmati, duke parë cilësitë e tij, e vendosi edhe në të djathtë të sulmit.
Gjithsesi Ismajlgecit zemrën ia ka fituar një argjentinas dhe kapiteni i Tiranës. “Idhulli im është Mesi”, thotë mbrojtësi i majtë kur pyetet për lojtarët e huaj. “Te Tirana, kapiteni Karabeci”, shton 18-vjeçari, i cili aktivohet me të rinjtë, por ndërkohë është edhe në fokusin e trajnerit Mema.
Ky i fundit, pas miqësores me Laçin deklaronte: “Kam provuar dhe Ismajlgecin, një lojtar i ri me shumë perspektivë, i cili shumë shpejt mund të bëhet pjesë e lojës.” Për mbrojtësin nuk ka diskutim që është në klubin më të madh. “Është kënaqësi të luash me Tiranën, është klubi më i mirë dhe më i madh në Shqipëri”, shprehet futbollisti i bardhebluve për “Supersport”.
Së bashku me Çelhakën dhe Muçin janë pjesë e kombëtareve të moshave: “Kemi qenë së bashku tek përfaqësuesja U-19, shpresojmë që të jemi edhe te Shpresat dhe në kombëtaren e madhe së bashku. Te Tirana ka shumë të rinj të talentuar dhe me të ardhme përpara. Besoj që në këto dy faza do t’ia dalim dhe do bëjmë mirë”`.