“Jakovljeviç jashtë planeve, Memushaj ndoshta në… maj”

0

Trajneri Shpëtim Duro ka folur për merkaton dhe pjesën e dytë të kampionatit, që ai e pret edhe më të vështirë

Elton Nika

Flamurtari zbret në fushë. Vlonjatët kanë rinisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit, teksa ishin lënë pushim që pas fitores së fundit në kampionat përballë Kamzës në shifrat 0-3. Me afrimet e reja në merkato, Flamurtari ka nisur përgatitjet fillimisht në Vlorë, për t’u zhvendosur më pas drejt Antalias. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka theksuar se kjo periudhë do të jetë mjaft e rëndësishme për të përballuar më pas një sezon edhe më të vështirë. Ndërkohë tekniku kryeqytetas nuk ka nguruar të flasë edhe rreth merkatos, afrimeve apo largimeve të pritshme nga Flamurtari.

Profesor, Flamurtari rinis përgatitjet. Cili është plani?
-Po, prej datës 3 janar kemi rinisur gjithçka, duke filluar nga Vlora. Janë kryesisht teste fizike të të gjithë lojtarëve, edhe të atyre që janë bashkuar në këtë merkato. Më pas do të zhvendosemi drejt Antalias. Deri më datë 8 janar do të qëndrojmë në Vlorë, ndërsa prej kësaj date për dy javë do të qëndrojmë në Antalia, ku nuk do të mungojnë edhe ndeshjet miqësore.
Dy javë përgatitje dhe ndeshje, për pjesën e mbetur. Sa të rëndësishme janë këto përgatitje?
-Padyshim që na pret një periudhë shumë e ngarkuar dhe e vështirë, ndaj përgatitjet do të jenë të rëndësishme. Drejtuesit e klubit janë duke u marrë me konfirmimin e skuadrave që do të kemi përballë në ndeshjet miqësore. Ju konfirmoj që do të jenë tre takime dhe për mua nuk ka rëndësi emri kundërshtarit që do të kemi përballë.
Merkato është ende e hapur, por a do të bëjë lëvizje të tjera Flamurtari?
-Kemi afruar katër lojtarë, që për mendimin tim në merkaton e janarit katër futbollistë janë shumë, por kemi ditur të afrojmë elementë me mjaft cilësi dhe tashmë organika është e plotësuar. Mendoj se tashmë merkato është e mbyllur dhe nuk do të ketë të tjera afrime.
Memushaj është një emër i bujshëm që klubi ka kërkuar…
-Padyshim që është i tillë. Presidenti Idrizi kërkon ta sjellë në Vlorë dhe padyshim që është një sforco financiare, por edhe një vitrinë për kampionatin shqiptar. Të gjithë e duan një lojtar me cilësitë e Memushajt. Por unë mendoj se ndoshta në fund të muajit maj diçka e tillë do të bëhet realitet.
Merkato përfshin edhe largime, apo jo?
-Shiko, në kushtet aktuale kemi një organikë të plotë dhe padyshim që për lojtarë të veçantë hapësirat ngushtohen. Do të kërkojmë të gjejmë zgjidhje të mira për lojtarët që nuk kanë gjetur shumë hapësira.
Liçaj, Neziraj, Mersini dhe Jakovljevic janë disa nga emrat. Çfarë do të ndodhë me ta?
-Jakovljeviç është një lojtar të cilit i ka përfunduar kontrata me Flamurtarin. Dua të konfirmoj se lojtari nuk bën pjesë në planet e mia për vijimin e kampionatit. Për lojtarë të tjerë do të kërkojmë të gjejmë zgjidhje edhe përmes huazimit të tyre në skuadra të tjera, në mënyrë që të luajnë sa më shumë. Me pak fjalë do kërkojmë zgjidhje që do të kënaqin të dyja palët.
Flamurtari e mbylli vitin i dyti, a ndryshojnë objektivat tani?
-Dua të them se presidenti Idrizi nuk na ka vendosur objektiva apo të na vërë nën presion. Na ka kërkuar të respektojmë fanellën dhe kështu do të bëjmë edhe në pjesën e dytë të kampionatit. E rëndësishme mbetet të shohim ndeshje pas ndeshje, pastaj llogaritë bëhen në fund.
Çfarë prisni në pjesën e dytë të kampionatit?
-Një sezon edhe më të vështirë, pasi edhe skuadrat do të përforcohen tashmë në merkaton e dimrit. Padyshim që çdo ndeshje do të jetë edhe më e vështirë. E rëndësishme mbetet të mos gabohet me vendime të cilat ndikojnë në rezultatin e ndeshjes.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.