Trajneri i Izraelit Andreas Herzog uron që gjithçka të shkojë sipas planit të tij në ndeshjen e nesërme. Numri 1 i stolit të Izraelit vlerëson Shqipërinë, por në një krahasim me Skocinë ca i vë në dukje faktin se këto dy përfaqësuese ndryshojnë shumë. Kujtojmë që trajneri i Izraelit bën debutimin e tij në një ndeshje zyrtare me skuadrën pikërisht në “Elbasan Arena” ndaj Shqipërisë.
“Kemi punuar shumë dhe shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë. Skuadra është në një gjendje të mirë. Jam i emocionuar dhe mezi po pres të luaj këtë ndeshje”.
“Kemi disa lojtarë të rinj që do luajnë. Është një ndeshje e vështirë për t’u fituar. Është një mundësi e mirë për çdo skuadër në grupin tonë. Jemi në një kompeticion të ri, nuk duhet harruar”.
“Shqipëria apo Skocia është me mira? Janë dy skuadra shumë të ndryshme. Shqipëria ka shumë kualitet. Edhe pse ka humbur dy miqësoret e fundit, nesër është një ndeshje tjetër. Duhet të shfrytëzojmë shanset që do të kemi. Nuk e mendojmë Skocinë, pasi ne do të përballemi me Shqipërinë si fillim. Do shohim se si do të shkojmë”.
Kapiteni Birras Natkho po ashtu u shpreh i lumtur që do të jetë kapiteni i skuadrës së Izraelit, por në anën tjetër ai thekson se skuadra e tij do të synojë maksimumin në këtë ndeshje.
“Do të ndjekim me vëmendje udhëzimet e trajneri tonë dhe të shfrytëzojmë gabimet e kundërshtarit. Ne i njohim të gjithë lojtarët shqiptar. Nuk duam të bëjmë veçime, por dimë çdo pikë të fortë dhe të dobët të çdo lojtari. Kemi ardhur që të marrim tre pikë dhe do shohim se si do shkojmë në vazhdim. Do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë”.