Migen Memelli prej pak vitesh i ka dhënë fund me futbollin e luajtur dhe i është futur fushës së trajningut. Hapat e parë i ka hedhur te Tirana, teksa fillimisht ka qenë asistent te moshat, për të drejtuar më pas ekipin e dytë.
Vitin e shkuar ish-sulmuesi drejtoi Tiranën U17, ndërkohë që këtë verë ka pasur një ofertë nga klubi i Burrelit. Memelli ka vënë disa kushte, duke nisur nga shlyerja e lojtarëve e të tjera. Duke qenë se askush nuk ia garantonte kushtet e vëna, e ka parë të rrugës të refuzojë.
Burreli më pas nuk humbi kohë, duke zgjedhur në krye të skuadrës Stavri Nicën, i cili për herë të fundit drejtoi në Superiore skuadrën e Teutës. Durrsaku ka drejtuar më parë edhe Laçin, Erzenin, Besëlidhjen, Bylisin e Mamurrasin.