Kastrioti është zhvendosur në Bullgari dhe një ditë më parë ka zhvilluar një ndeshje miqësore kundër qipriotëve të AEL limasol. Krutanët u mposhtën me rezultatin 2-1, ndërkohë që autor i golit të vetëm të tyre ishte mbrojtësit Dajan Shehi. Gjithsesi, të lëmë mënjanë miqësoren dhe të fokusohemi te diçka tjetër: moduli i lojës.
Krutanët kanë zhvilluar edhe disa ndeshje të tjera miqësore: dy me Laçin, një me Kukësin dhe një me Teutën. Ajo çka është vënë re ka të bëjë me rreshtimin e skuadrës dhe trajneri Elvis Plori po tenton të mësojë skuadrën e tij me modulin 3-5-2.
Edhe në takimin e fundit u luajt pikërisht kështu. Dyshes Çela-Lila iu shtua Dajan Shehi, duke formuar kështu treshen e prapavijës. Mesfusha ishte reparti më i ngjeshur, me pesë futbollistë. Mziu, Çutra dhe i riu Shehu, të tre të rreshtuar në qendër të mesfushës. Patrik Bardhi dhe Nikola Stijepoviç plotësojë krahët.
Çarles Atsina është i përzgjedhuri për sulmin momentalisht, ndërkohë që krah tij ishte pozicionuar edhe greko-sudanezi Aleksandros Rahim, i cili me shpejtësinë dhe teknikën e tij mund të kthehet në një problem konstant për kundërshtarët. /VLADIMIR PRENGA/