Ish-goleadori Shehu e thotë hapur: Sulmuesi i golit të jep trofe, ja problemi i Hebajt

Për këtë periudhë përgatitore ku Partizani po stërvitet në Antalia të Turqisë, ish-sulmuesi i kësaj skuadre Ylli Shehu, mendon se skuadra ka bërë më të mirën. Nisur nga përbërja aktuale dhe me ndeshjet miqësore që ka zhvilluar Partizani, Shehu deklaron për SportEkspres.com se ka skuadër të kompletuar, por një sulmues tipik i golit i sjell më shumë garanci në arritjen e synimeve të sezonit.

Ylli Shehu është pjesë e Partizanit që nga sezoni 1995 kur hodhi hapat e para si profesionist. Në 8 sezone me të kuqtë ka fituar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, e më pas karriera e tij vazhdoi në Greqi, Kroaci e Belgjikë, ndërkohë që ka luajtur me sukses edhe me Kombëtaren. Si trajner ka drejtuar në një sezon Teutën e Partizanin, ndërsa aktualisht është pjesë e Akademisë së Partizanit si trajner i moshave.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Muaji janar nuk ka futboll zyrtar, sa ndjehet kjo te fansat e Partizanit, pasii edhe përgatitjet po zhvillohen në Antalia të Turqisë?
-Tashmë që kanë dalë rrjetet sociale, besoj se nuk ndjehet shumë largësia e skuadrës nga dashamirësit e shumtë të saj. Gjithsesi, kjo është një prekje virtuale me skuadrën. Tani të gjithë presin ta shohin liveekipin  dhe ndeshja e Kupës me Kastriotin do ketë shumë ndjekës.

Dy javë në Antalia, Partizani ka zhvilluar përgatitje dhe ka luajtur tre ndeshje miqësore, si dhe ka bërë merkato. A është shfrytëzuar me efektivitet kjo hapësirë?
-Besoj se po, sepse në Antalia kushtet stërvitore janë shumë të mira. Duke qenë se ka luajtur tre miqësore dhe ka bërë tre afrime në merkato, kjo është më e mira që mund të bëjë një skuadër e Kategorisë Superiore në këtë periudhë.

Aktualisht Partizani po luan në sulm vetëm me Bardhin, ndërkohë që vetëm Hebaj është sulmues i mirëfilltë. Sa garantohen synimet e klubit?
-Mundësitë janë të vështira sa i përket sulmit, vetëm me një qendërsulmues të mirëfilltë. Sepse Asani me Bardhin nuk e mbajnë dot peshën e sulmit dhe të garantojnë plotësisht këtë repart për Partizanin kampion. Ndaj në këtë situatë ky repart duket i paplotësuar.

Skuadra është e mbipopulluar me sulmues krahu dhe nuk ka të tillë tipikë. A duhet të bërë më shumë përpjekje për një tjetër sulmues qendre?
-Natyrisht që po, sepse Partizani duhet të shkojë me më shumë garanci në këtë repart drejt fitimit të titullit kampion. Sepse edhe mbrojtësit në skuadrat e tjera janë bërë shumë të vështirë dhe të përforcuar. Për t’i “çarë” duhet një tjetër sulmues goli.

Si ish-sulmues, si e mendoni Hebajn të vetëm që rivalizohet nga Asani e Bardhi në këtë repart?
-Këta kanë karakteristika ndryshe mes tyre. Por si Bardhi, ashtu dhe Asani, kanë qenë më në formë. Hebaj ka treguar se ende nuk e njeh mirë Superioren dhe është i papërshtatur plotësisht me skuadrën. Besoj se do kohë dhe tashmë duhet gjetur një sulmues tipik i golit.

 

Partizani ka luajtur edhe tre ndeshje miqësore në Antalia, me 2 barazime dhe 1 humbje. A janë shfaqur në to vlerat dhe kompaktësimi i skuadrës?
-Në ndeshjet miqësore aktivizohen shumë lojtarë, si ata që nuk kanë patur shumë minuta në gjysmën e parë të sezonit, ashtu edhe afrimet e reja. Duke shtuar edhe ngarkesat fizike që janë marrë në procesin stërvitor, nuk pritet maksimumi i tyre. Deri më 22 janar do ketë ndryshime.

Në këtë merkato Partizani ka afruar një mbrojtës dhe dy mesfushorë, mendoni se sulmi duhet të kishte më shumë prioritet?
-Unë e përmenda më sipër se Partizani në këtë hapësirë duhet të gjejë një sulmues tipik i golit. Shumë mirë që janë afruar një mbrojtës dhe dy mesfushorë, sepse shtohet konkurrenca me futbollistë cilësorë, por për më shumë garanci në repartin e avancuar, një sulmues është i nevojshëm.

E mendoni Partizanin kampion të Superiores në këtë sezon, apo edhe fitues të Kupës së Shqipërisë?
-Partizani në këtë sezon po tregohet skuadër pretendente, si në kampionat që e kryeson renditjen, ashtu edhe në ndeshjet e Kupës, ku ka arritur deri në 1/8. Ekipin e ka të plotësuar, por një tjetër sulmues do ta bënte më të sigurtë rrugën e golit dhe fitimin e trofeve të sezonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *