E mbani mend parashikuesin Xhelal Mziu? Kryebashkiaku i Kamzës iu qep këmba-këmbës Laçit, duke e akuzuar për lënie ndeshjesh, si në Durrës, ashtu edhe në Shkodër. Një taktikë e çuditshme ajo e Mziut, pa asnjë kuptim, sepse Laçi lufton për Europë dhe nuk e ka luksin që t’u lërë ndeshjet rivalëve të Kamzës, vetëm e vetëm që të fundosë Kamzën.
Pashk Laska u bë “tym”, kërcënoi me gjyq dhe çështja është ende e hapur, por ndërkohë gjyqin më të mirë Laska mund t’ia bëjë Kamzës fundjavën e ardhshme.
Kamza kundër Laçit, Mziu kundër Laskës, një finale Botërori: nëse fiton Kamza, mbijetesa është matematike dhe Mziu do të arrijë një fitore ndaj “armikut” Laska, i cili në fakt vetëm këtë ndeshje nuk do pranojë ta humbasë. Laçi është superior, lufton për vend të katërt, në Kamzë luhet shumë qetë dhe për Laskën nuk do kishte gjë më të bukur sesa të çonte Kamzën në humnerë, ose ta linte në dorën e Partizanit në ndeshjen e fundit, gjithnjë nëse Vllaznia i fiton dy ndeshjet e radhës.