Është vetëm 25 vjeç, por ka një rekord mbreslënës golash në Serinë A, kapiten dhe idhull i tifozëve të Interit. Mauro Ikardi është lojtari simbol i zikaltërve, por që tani është kthyer në objektivin madhor të Mançester Junajtid.
Gjigandët anglezë po përgatisin ofertën me vlerë 110 milionë euro, për të arritur shifrën e nevojshme për klauzolën e prishjes së kontratës së sulmuesit. Gazeta “Ole” pretendon se Zhoze Murinjos kërkon t’a afrojë argjentinasin në “Olld Traford” në merkaton e janarit.
Ikardi ka shënuar 53 gola në dy sezonet e fundit të Serisë A dhe cilësohet nga Murinjo si zgjidhja e problemeve, me të cilat “Djajtë e Kuq” janë përballur në këtë fillim sezoni. Operacioni nuk është i lehtë. Fillimisht duhet bindur sulmuesi dhe më pas Interi, me zikaltërit, që janë gati t’i ofrojnë rinovim të kontratës, e cila skadon në vitin 2021.