Është një ‘këngë’ e dëgjuar shpesh vitet e fundit: Interi e nis sezonin me shpresa të mëdha dhe pak nga pak e kupton se ka gabuar, jo vetëm duke ëndërruar titullin, por edhe duke menduar se është në nivelin e Napolit apo Romës.
Skuadra zikaltër u mund dje në fushën e Sasuolos dhe u paraqit shumë keq, duke vuajtur në aspektin e lojës dhe duke e goditur shumë pak portën kundërshtare.
Është vetëm ndeshja e parë, forma fizike nuk është perfekte, makineria nuk është gati për shkak të ndryshimeve të shumta në verë, të gjithë qëndrojnë, por ndërkohë pikët ikin dhe loja nuk u pa gjëkundi.
Dyshja Ikardi-Lautaro Martinez nuk funksionoi, për asnjë moment, ndaj sinjalet e mira të miqësoreve verore nuk vlejnë. Më shumë se sulmuesit, problem është mesfusha, ku mungonte Naingolan dhe e nisi nga stoli Perishiç, ndërsa Rafinja nuk u ble nga Barcelona për shkak se kushtonte shtrenjtë. Në këtë mënyrë, tifozëve dhe Spaletit u mbetet në dorë ëndrra Modriç dhe kaq, sepse mesfusha duket shumë e varfër në fantazi e cilësi sulmuese.
Edhe mbrojtja nuk është aty ku duhet, sepse De Vrij i ka marrë vendin sllovakut Shkriniar dhe me shumë gjasa Spaleti do të ndryshojë vendose, për t’i aktivizuar tre qendërmbrojtësit e tij, aq më shumë që në krah Dalbert ishte për të ardhur keq.