Drejtuesit e Interit po bëjnë maksimumin për të rikthyer klubin zikaltër në nivele të larta. Marota dhe Auzilio kanë nisur prej kohësh punën për të përforcuar ekipin e Spaletit. Diego Godin është goditja e parë dhe mbrojtësi e kapiteni i Atletikos së Madridit do të zbarkojë në Milano me parametra zero në fund të këtij sezoni.
Zikaltrit po tentojnë dhe një mesfushor të madh dhe Ivan Rakitiç është dëshira e madhe. Në sulm preferohet Edin Xheko i Romës, i cili shihet si zëvendësuesi i Mauri Ikardit. Megjithatë, Interi po kërkon dhe për të rinj të talentuar duke menduar dhe për të ardhmen.
Siç raporton “L’Equipe”, drejtuesit e klubit italian kanë piketuar Korentin Luakimën, 16-vjeçarin e PSG. Ai luan në rolin e mbrojtësit të djathtë dhe është gati të firmosë kontratën e parë si profesionist. Lojtari me origjinë kongoleze, i cili festoi të enjten 16-vjetorin e lindjes, është pjesë e kombëtares U16 të Francës dh ka zhvilluar 5 ndeshje me ta.
PSG ka gati kontratën për të, ashtu si dhe Interi. Të dy klubet po punojnë fort për të bindur Luakimën, me këtë të fundit që do të zgjedhë se ku të nisë karrierën e tij si profesionist.