Interi hedh hapin e parë, Ikardi rikthehet kundër Ajntrahtit?

Humbja kundër Kaljarit ka befasuar Interin, që e sheh veten të parakalohet nga Milani në renditje. Objektivi i zikaltërve për ta mbyllur kampionatin në katërshen e parë është komplikuar dhe ekipi duhet të reagojë e të rikthehet te rezultatet pozitive.

Problemet janë të shumta, ndërsa çështja e Mauro Ikardit nuk po merr zgjidhje. Megjithatë, Spaleti ka programuar një takim kokë më kokë me sulmuesin në ditët e ardhshme. Aty do të jetë i pranishëm dhe mjeku Volpi dhe do të tentohet të kuptohet qëllimi i lojtarit.

Ikardi vazhdon të ketë probleme në gjurin e tij dhe po vazhdon me terapitë, ndërsa Spaleti mund t’i japë një shans. Klubi nuk beson shumë te dëmtimi i lojtarit dhe trajneri kërkon të kuptojë se çfarë ka në mendje argjentinasi. Nëse gjendet gjuha e përbashkët, Spaleti mund ta grumbullojë atë për ndeshjen e Ligës së Europës kundër Ajntrahtit të Frankfurtit.

Deri atëherë pesha e sulmit do të mbahet nga Lautaro Martinez, ndërsa është pranë rikthimit dhe Keita Balde. Spaleti ka bërë një pakt me lojtarët pas humbjes së fundit kundër ekipit sard. Ai i ka kërkuar ekipit të mos dhurojë më paraqitje si kjo e fundit dhe përgjigja e lojtarëve ka qenë pozitive. Ata besojnë fort se do të arrijnë për të kualifikuar Interin në Champions Ligë, me apo pa Ikardin në fushën e blertë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *