Interi fiton 1-0 miqësoren e fundit para kampionatit, duke mposhtur Atletikon e Diego Simeones në Madrid, por përtej rezultatit pa shumë vlerë, ajo që ra në sy ishte paraqitja fenomenale e talentit Lautaro Martinez.
Argjentinasi është që tani një superstar dhe duket sikur ka vite që luan në Europë, ndërsa dyshja më Ikardin ven tifozët interistë të ëndërrojnë, ndaj Luçiano Spaleti duhet të gjejë skemën e duhur për t’i hedhur në fushë nga minuta e parë.
Në minutën e 31-të të ndeshjes së luajtur në Wanda Metropolitano Azamoah hodhi një kros perfekt në zonë, aty ku numri 10 i Interit shënoi një gol fantastik, që nëse do shënohej në ndeshje zyrtare do ishte kandidat për golin e vitit.
Atletiko shkon drejt Superkupës se Europës me sinjale aspak pozitive, sepse skuadra e Simeones nuk u pa shumë në fushë dhe rastet për gol ishin më pikatore, përveç një goli të anuluar me VAR. Shumë më mirë Interi, që duket gati për sezonin e ri. Ishte ndeshja e fundit e turneut International Champions Cup, që është fituar nga Totenhemi, për shkak të golaverazhit më të mirë se Interi dhe Borusia e Dortmundit.