Antonio Konte e mbylli me Çelsin në verë dhe po shijon pushimet. Shumë klube interesohen për trajnerin italian, por ai nuk ka vendosur ende për të ardhmen. Reali i Madridit, Interi, Mançester Junajtid dhe së fundmi Roma.
Konte dëshiron të rikthehet në stol, por nuk dëshiron të nxitohet. Në një prononcim për “Gazzetta dello Sport”, 49-vjeçari mohon kontaktet me Interin dhe zbulon dy fakte kryesore që do të ndikojnë në zgjedhjen e skuadrës së re.
“Një gjë është e sigurt dhe nuk do të më shihni në stol deri në fund të sezonit. Interi? Flitet prej kohësh për një afrim timin me zikaltrit, por janë vetëm fjalë. Përkundrazi, thashetheme. Nuk kam patur asnjë kontakt me Interin dhe as me Marotën. Roma dhe Mançester Junajtid? Në këtë sezon nuk do më shihni në asnjë skuadër. Për çdo gjë tjetër do të shohim në të ardhmen. Do t’i vlerësoj ofertat me qetësi dhe pa u nxituar. Tani është herët dhe dua të pres rastin e duhur. Dy do të jenë faktorët e rëndësishëm në zgjedhjen time: rëndësia e projektit dhe entuziazmi. Do të pranoj atë ofertë që do të më dhurojë më shumë gëzim”, përfundon Antonio Konte.