Andres Iniesta po shijon Japoninë, futbollin, kulturën e saj dhe po zbavitet. Mesfushori i madh është pjesë e Visel Kobes që nga vera e kaluar, por ai nuk e harron kurrë Barcelonën e tij. Në Katalunjë kaloi 16 vite, ku dhuroi spektakël, dha leksione futbolli dhe fitoi gjithçka. Vendimi për t’u larguar erdhi në mënyrë natyrale.
34-vjeçari ka folur për “Marca”, duke theksuar dëshirën për t’u rikthyer e punuar në klubin e zemrës. Pengje nuk ka shumë, pasi njerëzit janë dëfryer me futbollin e tij, Mesit, Ksavit dhe të tjerëve, por sigurisht që ajo skuadër duhet të kishte fituar më shumë Champions Liga.
“Nuk kam patur kurrë probleme me Barcelonën dhe jam ndjerë gjithmonë i rëndësishëm. Vendosa të largohem, sepse e kuptova që erdhi momenti. E ndjeja që kisha dhënë gjithçka për klubin. Kam lënë shpirtin tim aty. Vendimi për të ndryshuar ekip, shtet, ambicie dhe objektiva u mor nga zemra dhe trupi im.
Nëse do të varej nga unë, do të rikthehesha. Nuk e dimë se çfarë na rezervon e ardhmja, por do doja të kisha mundësinë për t’u kthyer dhe për të bërë diçka që mundem. Mund të transmetoj gjithçka që kam mësuar në këto vite. Peng? Vetëm fakti që nuk kam fituar më shumë Champions. Megjithatë, njerëzit janë zbavitur me atë që kemi dhuruar ne.“