Fundjava ka sjellë probleme te moshat, teksa në ndeshjen Tomori-Apolonia për 17-vjeçarë ka pasur probleme. Në Berat incidentin e ndodhur nuk e kanë përkrahur aspak, madje e kanë dënuar. Së fundmi klubi i Tomorit ka dalë me një deklaratë për atë që ndodhi në takimin e moshave.
DEKLARATA E KLUBIT BERATAS – “FK Tomori ndihet i keqardhur dhe mban çdo përgjegjësi për situatën e pakëndshme të krijuar në stadiumin tonë gjatë zhvillimit të ndeshjes së moshave Tomori – Apolonia. Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 3-të të Kategorisë së Parë U17, e cila pati një mbyllje aspak sportive dhe qytetare.
Për këtë arsye klubi ynë është mbledhur një ditë pas ngjarjes për ta diskutuar me imtësi këtë situatë të krijuar. Jemi duke marrë opinionet e personave përgjegjës, të cilët ishin në stadium. Po ashtu kemi marrë në shqyrtim edhe kamerat e sigurisë të vendosura në stadiumin tonë në fillimin e këtij sezoni.
Vetëm pasi këto të jenë shqyrtuar të gjitha, atëherë do të dalim edhe me një vendim zyrtar mbi fajtorët dhe përgjegjësit e asaj që ndodhi por edhe të marrim penalitetet për ta.
Ndërkohë duam ti kërkojmë falje gjithë qytetarëve dhe opinionit sportdashës beratas por jo vetëm për pamjet dhe situatën e krijuar. Ajo nuk i shkon aspak përshtat kulturës sportive por edhe qytetare të qytetit tonë. Po ashtu vitet e fundit ne kemi menaxhuar ndeshje model si në futbollin e moshave edhe atë profesionist në mënyrën më të mirë. Kështu në Berat ka fituar gjithmonë ekipi që ka merituar dhe ambienti jashtë fushës nuk ka cenuar asnjëherë ndeshjen e futbollit.
Ndërkohë ne jemi vënë përpara përgjegjësisë që situata të tilla të mos i përsërisim më sepse jo vetëm na penalizojnë si klub por edhe dëmtojnë imazhin e qytetit tonë”, shkruhet në deklaratën e klubit beratas.