Pak javë më parë u nda nga jeta presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Në nder të tij u vendos që stadiumi i Prishtinës , të merrte emrin e tij për kontributin që ka dhënë për futbollin kosovar si futbollist dhe mbi të gjitha si drejtues.
Sot, janë postuar dhe foto e para të stadiumit të ri, që do të jetë dhe shtëpia e përfaqësueses së Kosovës. Zyrtarizimi i emrit të stadiumit ka ardhur në datën e ditëlindjes së 58-të të ish-presidentit të FFK-së.
Po ashtu është njoftuar nga ana e presidentit aktual, Agim Ademi se stadiumi do të inaugurohet në datën 28 korrik në një ndeshje ku do të luajnë veteranët e Flamurtarit dhe Prishtinës, dy skuadra që në të shkuarën Vokrri i ka përfaqësuar. Ky takim do të luhet në orën 20:00, dhe do të jetë nën vëzhgimin e inspektorëve të UEFA-s për të marrë liçensimin. Po ashtu do të luajnë në stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe skuadrat aktuale të Prishtinës dhe Flamurtarit, në nder të Vokrrit.