Iliria, Turbina dhe Elbasani kanë “humbur” miqësoret

E gjithë kjo javë ka qenë e mbarë për skuadrat shqiptare të futbollit, jo vetëm për kushtet e mira të motit pa reshje shiu e bore, por edhe për merkaton e ndeshjet miqësore që skuadrat kanë zhvilluar mes tyre. Nuk kanë munguar edhe përballje mes atyre të Superiores me skuadra të Kategorisë së Parë, ku rezultatet ishin interesantë, duke veçuar së pari fitoren e pastër 3-0 të Bylisit ndaj Flamurtarit.

Në të gjitha këto miqësore që kanë nisur nga dita e martë, skuadrat e Kategorisë së Parë kanë qenë aktive me ndeshjet që kanë luajtur, por tre prej tyre, dhe pikërisht Iliria, Elbasani e Turbina ende nuk kanë zyrtarizuar ndeshje të tilla. Të treja skuadra me problematika të ndryshme, por mbi të gjitha, situatat financiare kanë bërë që përgatitjet e tyre të cungohen, ndërkohë që miqësoret po duket si “mollë e ndaluar”.

Iliria në Grupin A po vuan anën financiare të dobët, ndërkohë që lojtarët titullarë nuk kanë pranuar të stërviten, ndërsa ndryshe është situata në Qarkun e Elbasanit me ekipet e Grupit B. Për skuadrën e drejtuar nga Elvis Kotorri sytë janë nga Gjykata për zgjidhjen e problemit me anglezët, ndërsa Turbina është e çliruar nga financat, por jo në përgatitje dhe ndeshjet miqësore.

Të treja këto ndoshta nuk e mendojnë se në fazën e tretë u përgjysmon pikët, dhe për të shkuar deri aty duhen edhe katër ndeshje, por para tyre duhen përgatitje jo mungesa në stërvitje, duhen miqësore me kundërshtarë rivalë, dhe jo teste brenda grupit. Këtë situatë ndoshta do ta vuajnë që nga 2 shkurti kur të nisë Kampionati me javën e 15-të, ku Iliria pret Burrelin, Elbasani ndeshet në fushën e tij Besën, e po kështu Turbina përballet me Tomorin në Cërrik.

MIQËSORE-Dje, 16 janar 2019
Tirana-Besa                 2-1
Bylis-Flamurtari          3-0
Teuta-Laçi                   2-0
Kamza-Kastrioti          1-1
Korabi-Apolonia         3-0
Tomori-Albpetrol        1-1
Dinamo-Kombët.U19 3-0
Tërbuni-Erzeni            4-3
Besëlidhja-Veleçiku    2-1
MIQËSORE-Nesër, 18 janar 2019
Internacionali-Vora     12:00

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *