“Iku një ikonë, frymëzim për të rinjtë”, Ali Mema përcillet në banesën e fundit

Sot paradite, në ambientet e stadiumit “Selman Stermasi”, u organizua ceremonia e përcjelljes në banesën e fundit të ish-futbollistit të 17 Nëntorit dhe Kombëtares, Ali Memës. Emri i këtij futbollisti të madh në futbollin shqiptar u nderua jo vetëm nga familja e madhe bardheblu. Bashkëkohës të Liut, ish-futbollistë nga e gjithë Shqipëria, i dhanë lamtumirën e fundit kësaj legjende të futbollit shqiptar.

PRESIDENTI I SHQIPËRISË, ILIR META – Kreu i shtetit, i pranishëm në ceremoninë mortore, tha për mediat: “Ndarja nga jeta e Ali Memës është një mungesë e pazëvendësueshme për Tiranën dhe gjithë futbollin shqiptar. Ishte një lojtar i madh, i cili sfidoi edhe kampionë të Botës. Një model në ekip dhe në shoqëri. Kontributi i tij do mbetet vepër e përjetshme në futbollin tonë”.

KOSTANDIN SHKURTI, ZËVENDËSMINISTËR I MAS – “Me dhimbje, por me respekt të madh, e përcjellim sot Ali Memën e madh. Një ikonë e vërtetë në fushë e jashtë saj.  Liu ishte lideri i 17 Nëntorit të madh, i cili nuk u dorëzua kurrë. Edhe sot ai nuk është dorëzuar”, tha Shkurti.

LUTFI NURI, ZËVENDËSPRESIDENT I FSHF-SË – “Ky njeri nuk i vjen më futbollit shqiptar. Për atë madhështi që ai tregoi në futboll e jashtë tij, pak do të ishte një bust në stadium. Të gjithë brezat në futbollin tonë do ta kenë frymëzim këtë futbollist të gjithanshëm dhe me karakter”, deklaroi Nuri, një dashamirës i Tiranës dhe donator në të shkuarën në klubin me më shumë trofe në vend.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *