Pas humbjes në Kukës Stavri Nica shfryu nervat, duke deklaruar se skuadra ka shumë probleme, nuk ka lojtarë cilësorë dhe shumë prej tyre i kanë ardhur pa stërvitje. Në fund, trajneri i Laçit deklaroi se do të rishihte pozicionin e tij në krye të skuadrës kurbinase.
Fjalë të thëna shpesh prej tij në të shkuarën, ndaj zor se i mori njeri seriozisht, por sot Nica e ka vendosur përfundimisht: nuk do të jetë më trajneri i Laçit në vazhdim, duke u bërë trajneri i parë që lë stolin në sezonin e ri në Superiore.
Një vendim i prerë, i pranuar edhe prej presidentit Pashk Laska, i cili e njeh mirë Nicën dhe e ka kuptuar prej ditësh se bën mirë të gjejë zëvendës. Nica ndoshta do të ndryshojë mendim, ose do të rikthehet në rast krize, si sezonin e shkuar, por në këtë moment duhet një ndryshim, për të evituar thellimin e krizës.
Kështu, Laçi ka zgjedhur Gentian Mezanin, trajnerin vlonjat i cili është ende në hapat e parë të karrierës në ekipe të para, por ndërkohë ka grumbulluar eksperiencë duke drejtuar në periudha të ndryshme krize Flamurtarin. Për herë të fundit e drejtori prej tetorit të vitit të shkuar deri në shkurt të këtij viti. Lojë e bukur dhe shumë sulmuese, paksa e çekuilibruar në prapavijë, ndërsa eliminimi nga Besëlidhja në kupë ishte zhgënjimi i madh, por Mezani kishte disa justifikime madhore: Flamurtari ishte në krizë financiare, lojtarët kërcënonin me bojkot, Donjet Shkodra ishte i dëmtuar e lojtarë të tjerë kishin shumë probleme.
Tani Mezani merr drejtimin e Laçit dhe pasditen e sotme do të drejtojë stërvitjen e parë, ndërsa provën e zjarrit e ka të shtunën, kur Laçi të presë Vllazninë.