Ikën pa leje, Dortmundi pezullon Obamejangun

Sulmuesi i Dortmundit ka udhëtuar në Barcelonë gjatë pushimit ndërkombëtar, diçka e patolerueshme për klubin. Bëhet gati largimi?

Borusia e Dortmundit dje ka marrë një vendim drastik për sulmuesin Pier-Emerik Obamejang. Siç njoftoi vetë zyrtarisht në sajtin dhe faqet përkatëse në rrjetet sociale, klubi verdhezi ka dënuar gabonezin duke e skualifikuar paraprakisht nga ndeshja e sotme me Shtutgartin në kampionatin gjerman. 28-vjeçari nuk është në listën zyrtare të skuadre verdhezi për këtë takim. Arsyeja e vërtetë ende nuk dihet, por spekulohet se e gjitha kjo lidhet me vizitën që sulmuesi ka bërë në Barcelonë të martën, kur po luheshin ndeshjet e kombëtareve. Obamejang është stërvitur dhe ka udhëtuar pa lejen e klubit. Justifikimi i tij ka qenë takimi me ish-shokun e skuadrës, Osman Dembele. Kjo nuk është toleruar nga drejtuesit e Dortmundit, sidomos kur të gjithë ndjekësit e lojtarit kanë parë çdo veprim të tij në rrjetet sociale, diçka që e ka zakon ta bëjë sikur të ishte gjëja më e thjeshtë në botë.

Jo hera e parë

Kjo nuk është hera e parë që Obamejang dënohet nga klubi. Ai e ka kthyer në diçka krejt normale, duke mos u frikësuar as nga gjobat. Në nëntor të vitit të kaluar, ish-sulmuesi i Milanit u pezullua nga trajneri Tomas Tuhel prej udhëtimit të paautorizuar që pati bërë në Milano para ndeshjes së Ligës së Kampionëve me Sportingun e Lisbonës. Por nuk ndalet me kaq. Në prill të këtij viti, ai mori një gjobë pas festimit të palejueshëm në barazimin 1-1 me Shalke 04. Saktësisht, ai “pozoi” para tifozëve duke i bërë reklamë një kompanie që nuk ka lidhje me klubin. Obamejang duket se e ka ndarë mendjen për t’u larguar nga “Signal Iduna Park”, sidomos duke parë se ka disa klube që e ndjekin. Ky sezon, pas disa herësh që e kemi shkruar në “Sport Ekspres”, do të jetë i fundit për të me fanellën e Dortmundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *