Bomba e merkatos së janarit ishte transferimi i Filipe Kutinjos nga Liverpuli te Barcelona, por nuk ka mbaruar. Tashmë sytë janë te Mauro Ikardi, ylli i Interit, që duket se tani ose në verë do ta humbasë kapitenin e vet.
Kinezët e Interit kanë para, kështu thonë të gjithë, por janë të detyruar të ruajnë bilancin dhe nuk mund të shpenzojnë asnjë euro pa shitur, për shkak të Fair Play-t financiar. Edhe kufizimet e qeverisë kineze për të ndalur daljen e parave nga Kina janë një arsye tjetër që Interi nuk po blen yje, ndaj klubi është i detyruar të shesë një yll, për të blerë një tjetër.
Lojtari që ka më shumë oferta dhe që duket se mendon largimin është pikërisht Ikardi. Rinovimi nuk po duket dhe klauzola prej 110 milionë eurosh për periudhën 1-15 qershor për klubet jashtë Italisë tani duket qesharake, sepse aq milionë i paguajnë disa klube pa u trembur fare. I pari? Reali i Madridit, që kërkon patjetër sulmues dhe tashmë ka nisur bisedimet e Uanda Narën, bashkëshorten seksi të Ikardit, që prej kohësh i dërgon sinjale lamtumire Interit. Nëse tani vjen ndonjë ofertë më e lartë, Interi duhet të shesë patjetër, ose të kënaqet me 110 milionë në verë, sepse Ikardi është e qartë që nuk do të rinovojë.