Elton Nika
Flamurtari ka nisur tashmë përgatitjet në fushë dhe administratori Sinan Idrizi është i kënaqur me ekipin e ndërtuar nga trajneri Shpëtim Duro. Ai vlerëson lojtarët e ardhur në skuadrën vlonjate gjatë merkatos së verës, por edhe faktin që me grupin stërviten edhe disa të rinj të ardhur nga të rinjtë e Flamurtarit. Këta të fundit do të jenë pjesë e skuadrës në fazën përgatitore.
Numri 1 i klubit kuqezi thekson se tashmë do të jetë fusha ajo që do të tregojë se sa i fortë është ky Flamurtar, edhe pse e vlerëson maksimalisht grupin. “Gjërat këtë vit janë bërë krejt ndryshe. Në dorë gjithçka e kishte trajneri Duro, natyrisht duke u konsultuar me klubin” – thekson administratori Idrizi.
“Mendoj se është bërë një merkato cilësore, me lojtarë, të cilët mbi të gjitha duhet ta duan dhe ta respektojnë fanellën e Flamurtarit. Kjo është më e rëndësishme se gjithçka. Kemi lëvizur në merkato, duke bërë afrime në çdo repart. Kemi marrë futbollistë, që janë të rëndësishëm dhe mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Trajneri Duro është vetë ai që ka menduar për lëvizjet në merkato dhe natyrisht duhet të jemi të kënaqur. Kemi një pjesë të lojtarëve nga sezoni i kaluar, por edhe disa lojtarë të rinj nga ekipi i 19-vjeçarëve, duke u dhënë fund kështu spekulimeve të ngritura se te Flamurtari mungojnë lojtarët vlonjatë.
“Tashmë duhet të hiqen nga mendja fjalë apo shprehje të tipit ‘djemtë e lagjes sime dhe djemtë e mëhallës’. Kjo nuk ka kuptim në biznes, ashtu si edhe te vetë futbolli, nëse duam ta konsiderojmë të tillë. Ndaj dua t’ju them edhe atyre, të cilëve nuk u kanë munguar fjalët, se ka plot vlonjatë në skuadër, duke nisur nga Veliu, Hyseni apo edhe shumë të rinj. Janë shumë lojtarë, të cilët kanë ardhur për herë të parë te Flamurtari, por duken lojtarë të vjetër, sepse janë ambientuar menjëherë dhe kjo është mjaft pozitive për të gjithë, edhe për vetë grupin. Ndaj edhe takimi që kemi zhvilluar si staf, apo edhe me të gjithë lojtarët, ka pasur një rëndësi të tillë. Qëllimi ishte që lojtarët të jenë sa më të familjarizuar dhe pikërisht të tillë më duken. Tani duhet të flas fusha, por jam plotësisht i bindur për një skuadër cilësore, me lojtarë që para së gjithash e vlerësojnë fanellën e Flamurtarit. Këtë do ta tregojnë në fushë”, – ka përfunduar kreu i klubit vlonjat, i cili i ka lënë të gjitha kompetencat trajnerit Duro për ndërtimin e Flamurtarit të sezonit të ri.