Drejtuesi më i lartë i klubit vlonjat flet në prag të sezonit të ri, që mund të jetë i fundit për të në Vlorë, nëse nuk ndryshon asgjë në lidhje me të ardhmen e klubit
Sinan Idrizi këtë verë ka ndryshuar strategji. Edhe pse mbetet armik i Federatës dhe sistemit të ngulitur në Shqipëri, dhe për këtë ka të drejtë në disa drejtime, sërish administratori i Flamurtarit, ose fare mirë mund të quhet presidenti, tashmë është shumë më i qetë dhe më i matur. Nuk ka më shpallje objektivash madhorë, nuk ka më vonesa në paga dhe polemikat me bashkinë sikur janë zbehur. Natyrisht, Idrizi nuk i ndahet çështjes më madhore dhe problemit më të madh të tij dhe të gjithë futbollit shqiptar: privatizimi. Flamurtari ende nuk dihet se kur do të futet në shinat e privatizimit, por Idrizi e përsërit me vendosmëri: ky sezon është i fundit për të në Vlorë, nëse nuk ndryshon asgjë. Në një intervistë për “RTSH Sport”, Idrizi flet për sezonin e ri, merkaton, marrëdhëniet me federatën dhe gjyqet…
I keni plotësuar të gjitha dëshirat e trajnerit Duro, për sa i përket lojtarëve që ka kërkuar?
Po, patjetër, i kemi plotësuar të gjitha kërkesat që ka pasur trajneri, deri në detajet më të vogla.
-Mund të ketë ndonjë goditje të minutës së fundit nga ana e Flamurtarit?
– Realisht nuk e kam një kërkesë të tillë nga trajneri. Nëse do ta kem, natyrisht do ta plotësoj.
-Cilat janë objektivat e Flamurtarit këtë sezon?
Tek pjesa e objektivave është diçka si handikap, kur nga njëra anë flasim për investime dhe nga ana tjetër unë nuk vendos tek lojtarët e mi dhe stafi im se cilat janë objektivat reale. Gjëja që më tremb më tepër është që mund të vendosim objektiva pa fund, por në Shqipëri ka faktorë objektivë dhe subjektivë në arritjen e objektivave. Ne mund të kërkojmë që të dalim dhe kampion dhe të ndërtojmë një superekip, por janë disa gjëra që nuk varen nga një top i rrumbullakët që luhet në fushë. Ju e dini shumë mirë që në Shqipëri përflitet. Frika më e madhe është tek ai që del kampion çdo vit. Në Shqipëri ka një kampionat që ka dritëhije. Nuk akuzoj askënd, nuk kam dëshirë, por prandaj i lë të lirë, u them luani në fushë se ndoshta fusha do të japë më të mirën.
-Në sezonet e shkuara, Flamurtari ka pasur çështje që kanë shkaktuar dhe heqje pikësh. Po këtë sezon rrezikon Flamurtari diçka të tillë, duke marrë parasysh që tre futbollistë kanë depozituar ankesa ndaj jush?
– Këta tre futbollistë që kanë probleme me klubin Flamurtari, nëse nuk presin ditën e mirëkuptimit me klubin, të shkojnë në gjykatë dhe ta zgjidhin atje. Kjo është një çështje rutinë, nuk është një çështje që dëmton ekipin e Flamurtarit. Ekipi i Flamurtarit është dënuar me heqje pikësh, për shkak të dy problemeve që ka pasur të mbartura. Njërin e ka të dy viteve më parë, për shkak të një borxhi të papaguar, të një lojtari të ardhur para kohës sonë. Dënimi i vjetshëm ishte më drastiku, me heqjen e 6 pikëve, që ka prishur garën. Ne thjesht, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i kemi kërkuar Federatës për të na ndihmuar në luftën kundër evazionit fiskal, duke njohur detyrimet tona. Klubi Flamurtari njeh çdo lloj detyrimi të tij, por nuk kalon anashkalimin e detyrimin primar, detyrimin e qytetarit ndaj shtetit shqiptar. FSHF fatkeqësisht, jo nuk na ndihmoi në luftën kundër evazionit fiskal dhe ilegalitetit , por na ka ndëshkuar.
– Më konkretisht?
– Tre lojtarë na kanë paditur dhe kanë fituar një të drejtë për rroga të prapambetura. Ne nuk kemi marrë pjesë në asnjë seancë qëllimisht, pasi nuk deshëm të bëheshim pjesë e kësaj loje. Në klubin Flamurtari nuk ka më dy kontrata, një me 1 milion lekë të depozituara pranë zyrës së tatimeve dhe zyrës së punës dhe tjetra me 50 mijë euro pranë FSHF-së. Unë kontratat me lojtarët e mi i kam pasur bruto. Pse nuk e njeh FSHF termin bruto, këtu është problemi im. Lojtari në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të vijë dhe të thotë “unë kam 50 mijë euro kontratë bruto, kam marrë 30 mijë euro, kam për të marrë dhe 20” thotë, por me mua ka kontratë bruto. Ka kontrata të tipit që nëse ju hyni në Europë, taksat tuaja do t’i rimbursoj unë, dhe është e shkruar shumë qartë. FSHF-ja nuk e njeh rrogën bruto. Mblidhet komisioni i Etikës dhe thotë, “po. 50-30=20”. 20 mijë euro është borxhi i Sinan Idrizit dhe Flamurtarit tek lojtari. 29.7% e kësaj kontrate ekzekutohet në zyrën e tatimeve, tek shteti shqiptar, jo në xhepin e lojtarit.
– Lojtarët në të tilla raste nuk janë të informuar?
– Unë përdor termin në të tilla raste, që një lojtar është më prozaik nga sa duhet të jetë, ndaj nuk i intereson fare, por të marrë disa lekë. Është bërë modë. FSHF ka një sens shumë të mirë për të ndihmuar lojtarët që kanë problem me Flamurtarin. I ndjek kudo që janë, i mbyll gjyqet brenda një jave, merr një vendim fantastik fare dhe në fund nuk i intereson se çfarë ndodh.
– I njëjti problem është dhe për këto tre futbollistë?
– Me këto tre futbollistë nuk ka fare lidhje. Këtyre djemve kontratat ua kam bërë në neto që të qartësohesha. Në vitin e dytë u a kam bërë të qartë: psh. Ti je 4 mijë euro neto, plus kontratën e tatim pagimit, që e marr unë si klub, në natyrë, pasi e pashë që në vitin e parë më thoshin, që askund nuk paguajmë kaq shumë tatime. Për të vërtetuar që ne paguajmë kaq shumë mund të verifikohet tek zyrat e tatimeve.
– Si janë marrëdhëniet e Flamurtarit me FSHF-në?
Në përgjithësi kemi pasur dëshirë që të kemi raporte korrekte. Acarimet e para kanë nisur nga një term fyes në drejtimin tonë, kur mua më kanë akuzuar si hajdut. Në kohën që një lojtar i Flamurtarit u akuzua për shit-blerje ndeshjesh, në kohën që unë çoja Flamurtarin në hetuesi për trukime. Më kanë dënuar njëherë për tre muaj që të mos shkoj në stadiumet e Shqipërisë. Ka qenë koha kur herë pas here thosha se kulturat e anëtarëve të FSHF-së lë shumë për të dëshiruar. Termin “prostitucion” e kanë kuptuar thjesht si një prostitucion të llojit të tyre, si e mendojnë këta. Kam dashur të ndërtoj raporte të mira të reciprocitetit, por fatkeqësisht nuk e kam gjetur këtë mundësi.
– Keni kërkuar rritjen e numrit të lojtarëve të huaj, por nuk ka ndodhur, mendoni se kjo është politika për të zhvilluar talentet shqiptare?
Nuk ka shans të rritet cilësia e futbollit, duke mbajtur të limituar numrin e të huajve në kampionatin shqiptar. Kemi ndeshje ndërkombëtare këto ditë, mund të shihni se sa lojtarë të kampionatit janë me përfaqësuesen tonë. Nuk ka logjikë, që ne të luajmë në Europë si një status kombëtar. Skënderbeu që po luan në Europë është një skuadër shqiptare, por që ka një strukturë të veçantë financiare që financohet nga një grup. Në rast se numri do të ishte i palimituar në blerjen e lojtarëve të huaj, suksesi do të ishte akoma më i madh.
Privatizimi?
Shpresoj që në shtator të mendojnë realisht të mendojnë për privatizimin. Unë edhe këtë vit do të shlyej detyrimin tim, në të kundërt atëherë është e kotë të vijojmë me këtë strukturë. Duam të fillojmë punën realisht, dua të filloj investimet. Kam një vit e gjysmë dhe nuk kemi shanse të punojmë, pasi kam probleme me transferimin e fondeve, nuk i transferoj dot. Jemi thjeshtë duke pritur. Kam kërkuar privatizimin e shoqërisë sportive në Vlorë, pallatin sportit, basketbollin, volejbollin, strukturat e sportit vlonjat.
Akademia e futbollit…
Është një tmerr i vërtetë për mua. Është një vend ku ç’mësohen njerëzit. Pse i them këto terma? Sepse nuk ka kushtet më elementare, banjë. Të tjerat nuk ekzistojnë më.
Çfarë prisni këtë sezon nga Flamurtari?
Respekt për fanellën. Çdo fanellë që hidhet poshtë në çdo lloj situate, ndëshkohet me 100 euro. Simbolin e Flamurtarit unë dua ta respektojnë në maksimum. Thjesht respekt të fanellës.