Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e ndoqi me qetësinë e tij karakteristike ndeshjen në Kamzë, por e shijoi shumë fitoren e Flamurtarit të tij ndaj Kukësit.
Për “Sport Ekspres”, Idrizi foli pas përfundimit të takimit, duke mos e fshehur kënaqësinë për paraqitjen e të tijve, aq më shumë që ishte fitorja e parë në transfertë me Kukësin.
“Prej kaq vitesh Flamurtari nuk e ka mundur dot Kukësin si udhëtues, edhe në Vlorë kemi vuajtur shumë ndaj këtij kundërshtari, ndaj jam i kënaqur, duhej thyer tersi, edhe pse në Kamzë dhe jo në Kukës”.
Idrizi e vendos theksin te loja: “E kam thënë gjithnjë, fitoret duhet të vijnë prej lojës së bukur. Kur fitojmë kështu, është fitore e dyfishtë, sepse më gëzon më shumë loja e shfaqur, sesa thjesht pikët”.
Ishte Flamurtar krejt ndryshe nga ndeshjet e fundit: “Luajtëm mjaft mirë, nuk e di çfarë ndryshoi. Pyesni Dajën, ai përgjigjet për këto gjëra”.
Polemika para ndeshjes, që çuan te ndryshimi i arbitrit: “Ne nuk ushtruam asnjë presion, edhe për faktin se zakonisht nuk na dëgjojnë atje lart. Në kërkuam diçka mese normale, një arbitër që të mos kishte asnjë hije dyshimi mbi vete dhe të mos paragjykohej. Si arbitroi Sokoli? Bëri detyrën shumë mirë, por jo se ushtruam ne presion”.
Renditja përmirësohet: “E kam thënë që duam Europën, pa asnjë presion. Kukësi ka skuadër të shkëlqyer, është pretendent serioz për kreun dhe rival direkt”.