Partizani insistoi shumë për afrimin e Hektor Idrizajt dhe drejtuesit e klubit arritën marrëveshjen me Kamzën për t’i plotësuar dëshirën trajnerit Gega. 29-vjeçari vlonjat luan në rolin e mbrojtësit të djathtë, por bën mirë dhe atë të qendërmbrojtësit dhe mbrojtësit të majtë.
Idrizaj ndihet i vlerësuar nga interesimi i të kuqve dhe është gati të nisë aventurën e re në karrierë. Grupi e ka pritur mirë dhe ai nuk ka patur probleme përshtatje, ndërsa ndeshje e parë me bluzën e kuqe mbi supe do të jetë kundër Kamzës.
PARTIZANI – “Është shumë vlerësim i madh interesimi i profesorit dhe klubit. Këto ditë që kam dalë në stërvitje jam ndjerë shumë mirë me grupin. Ka një harmoni dhe kjo reflektohet jashtë dhe brenda fushe. Jam munduar të përshtatem dhe çunat më kanë ndihmuar shumë. Shumicën e tyre i njoh, pasi kam luajtur dhe në ekipe të tjera me ta. Kështu që e kam patur më të lehtë të ambientohem. Dëshira për të ardhur te Partizani ka qenë e madhe për shkak të pozitave ku ndodhet ekipi, por dhe për historinë e këtij klubi. Sa i përket transferimit, kjo ka qenë një marrëveshje midis dy klubeve, kështu që nuk kam qenë 100% në dijeni të asaj çfarë ka ndodhur.”
OBJEKTIVAT – “Për fat të mirë ose fat të keq, nuk e di si ta quaj, unë kam luajtur për objektiva të ndryshme dhe më parë në karrierën time. Të dyja janë specifika të ndryshme dhe kanë vështirësitë e tyre. Çdo futbollist dëshiron të luajë për të dalë kampion. Duhet të përqendrohesh shumë herë më shumë, duhet të japësh maksimumin çdo minutë, sepse konkurrenca është e madhe. Të dyja kanë presione të ndryshme, nuk ka krahasim presioni i mbijetesës me të titullit.”
KONKURRENCA – “Siç e tha edhe profesori edhe më përpara, kur vjen në një klub me pretendime nuk premtohet gjë. Është mirë që të bëhesh pjesë e familjes, të luftosh në fushë dhe të japësh maksimumin. Duhen bërë llogaritë me veten dhe ta pranosh konkurrencën.”
RIKTHIMI NË KAMZË – “Ndodhi çdo gjë shumë shpejt, brenda 3-4 ditësh. Sa i përket anës së ndjenjave, nuk e kam provuar akoma. Kur ta provoj ju them.”