Milan dhe Xhenaro Gatuzo janë gati për të nisur sezonin e ri. Sfidë e vështirë në transfertë përballë Napolit, por trajneri i kuqezinjve nuk e njeh fjalën frikë. Ndeshje speciale, sepse do të përballet me Ançelotin, që gjithmonë e ka cilësuar si një baba të dytë dhe me të cilin fitoi gjithçka si futbollist. Grupi është përforcuar, por Gatuzo kërkon personalitet, grintë dhe sakrificë. Me Leonardon dhe Maldinin ka një raport të mrekullueshëm dhe kur nis e flet Paolo, lojtarët fillojnë të… marrin flakë.
Përballja me Ançelotin – “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por shpresoj që Milani të fitojë. Dje fola me Karlon dhe më pyeti nëse dua “mozzarelle” (djathi i famshëm italian). Ai bën gjithmonë batuta dhe nuk e mohoj se që kur jam bërë trajner, dëgjohemi shpesh në telefon dhe i marr këshilla, kur gjendem në vështirësi. Të gjithë e dini raportin tonë dhe ai ka qenë më shumë se një trajner për mua. Gjithmonë më ka mahnitur thjeshtësia e tij. Ai flet me zemër me të gjithë dhe nuk njoh asnjë lojtar, madje edhe nga ata që nuk kanë luajtur shumë, që të flasin një fjalë të keqe për të. Ai mbetet mjeshtri, por nesër do të luftojmë për fitore. Napoli ka krijuar një identitet loje dhe Karlo nuk po tenton të ndryshojë shumë gjëra. Nesër dua një Milan me personalitet dhe kurajo dhe jo një skuadër që bie pre e vështirësive.”
Higuain – “Nuk mund të fitojmë vetëm me Higuainin dhe kemi nevojë për të gjithë skuadrën. Ai është një futbollist i nivelit të lartë dhe ndër 10 më të fortët në botë. Skuadra duhet të vendosë Gonzalon në pozita goli, duhet të mos pësojmë dhe të gjitha repartet të bëjnë një punë të madhe.”
Kaldara – “Nuk e di nëse do të luajë nesër. Ai vjen nga një futboll ndryshe nga i yni, është mësuar me metoda të tjera pune, por ka shumë dëshirë, një mentalitet të fortë dhe gjithmonë dëshiron të bëjë diçka më shumë. Ai sakrifikon dhe mendoj që ky është mentaliteti i duhur. Duhet kohë, sepse është mësuar të punojë ndryshe dhe nuk mund t’ia ndërrojmë kaq shpejt atë çfarë ka në kokë, por kjo nuk do të jetë një problem.”
Bakajoko – “E dinim që i pëlqen të luajë në qendër të mesfushës me një lojtar tjetër. Kur dëshiron të ndryshosh ndonjë gjë, duhet të diskutosh me lojtarët. Më ka habitur, sepse mendoja që ishte më i avashtë, por në teste më ka surprizuar me dinamikën që zotëron. Kur nuk e njeh, kujton që është vetëm një lojtar fizik, por do të punojmë që të përmirësojmë vendosjen e tij në fushë. Mund të na japë një dorë dhe në aspektin teknik.”
Leonardo&Maldini – “Ekziston një marrëdhënie e shkëlqyer mes nesh. Me Leon komunikoj 2-3 herë në ditë, ndërsa Paolo shihet shpesh në Milanelo. Ka respekt dhe ndershmëri mes nesh. Kur vijnë ata, unë e prek me dorë adrenalinën dhe oksigjenin që sjellin tek ekipi. Djemtë janë gati për të shpërthyer kur vijnë drejtuesit dhe ndihem mirë për këtë gjë. Kur Paolo nis e flet, i shoh futbollistët shumë të motivuar. Nëse duam të rikthejmë Milanin e dikurshëm, nevojitet programacion dhe rregulla. Të gjithë kryejnë punën e tyre dhe duke shmangur alibitë, mendoj që projekti i Milanit do të përmirësohet.”