I shumëkërkuari Mervejl, Guingamp e Dijon pas tij

19-vjeçari i talentuar i Tiranës pritet të ndryshojë skuadër dhe në klubin bardheblu janë të bindur që shitja e tij do mbyllet deri ditën e hënë

Vladimir Prenga

Tirana e fushës është me pushime, por në zyra nuk ka qetësi, pasi shitja e Mervejl Ndokit është misioni kryesor këtë verë. Ofertat për të nuk mungojnë dhe bardheblutë kërkojnë që të mos u ikë nga duart kjo mundësi për të përfituar një shumë të konsiderueshme financiare. LASK Linz dhe Goztepe kanë trokitur në dyert e Tiranës, duke bërë edhe ofertat zyrtare, por presidenti Halili nuk është dorëzuar para 350 mijë eurove të turqve, të gatshëm për t’ia derdhur këtë shumë menjëherë në llogaritë e klubit 24-herë kampion në vend. Nga Austria janë munduar t’i bindin me bonuse dhe 10% të përfitimeve nëse ata do e shesin sërish Mervejl. Nuk kanë mjaftuar kaq para dhe numri një i klubit bardheblu e kanë vënë limitin: 400 mijë euro. Për asnjë cent poshtë kësaj shume Halili nuk e shet futbollistin, ndaj po pret ofertën e duhur.

OFERTAT E REJA

Kompania që menaxhon Mervejl po punon gjatë kësaj periudhe për të gjetur një ekip të ri për mesfushorin me tipare sulmuese dhe së fundmi dy klube franceze po interesohen për 19-vjeçarin e talentuar. Gazeta mëson se Guingamp dhe Dijon po e ndjekin Mervejl, duke shqyrtuar mundësinë për të bërë një ofertë zyrtare te Tirana. Të dyja klubet garojnë në Ligue 1 dhe kongolezin kjo sigurisht që e “josh”, por duhet kënaqur edhe Tirana, që me të drejtë kërkon të përfitojë nga shitja e tij. Më parë në mediat franceze është shkruar edhe për një interesim nga Anxhers dhe Amiens.

SHITJA

Te Tirana nuk nxitojnë, por nga ajo që thuhet prej burimeve pranë klubit, është krijuar një bindje që këto ditë janë vendimtare për transferimin e Mervejl dhe kjo gjë pritet të ndodhë deri të hënën.

Ekipi i ri mbetet për t’u mësuar nga të gjithë, por puna për shitjen e mesfushorit nga Kongo është intensive. Mervejl u paraqit mjaft mirë vjet në kampionat, duke u aktivizuar në 29 takime. Ai arriti të shënojë edhe pesë gola në Superiore, por me shpejtësinë dhe driblimet “dehëse’ ishte një problem konstant për lojtarët kundërshtarë. Cilësitë e tij nuk mbeten pa rënë në sy dhe tanimë ai është drejt kalimit në një kampionat më të fortë, ku edhe përfitimet financiare të tij do jenë disa herë më të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *