Roma pret sonte në mbrëmje Realin e Madridit në një mbrëmje të denjë Champions-i. Djemtë e Di Françeskos do të bëjnë të pamundurën për t’iu dhuruar fitoren tifozëve në një “Olimpico” të mbushur plot.
I pranishëm në stadium do të jetë dhe Françesko Toti dhe Roma është gati të nderojë legjendën e saj. Përpara fillimit të ndeshjes, ish-kapiteni i verdhekuqve kryeqytetas do të bëhet pjesë e “Hall of Fame” të Romës. Ai do të jetë personi i 28, i cili bën pjesë te “të përjetshmit” e Romës, ndërsa historia e dashurisë midis tij dhe Romës është një nga faqet më të bukura të lojës së futbollit.
Xhejms Palota, presidenti i ekipit, do të nderojë Totin përpara publikut të tij, ndërsa tifozët do të përjetojnë emocione të forta. “Ky vendim i yni është një mirënjohje për rrugëtimin e Françeskos me Romën, për kontributin e dhënë brenda dhe jashtë fushës, që nga viti 1989. Bëhet fjalë për një nderim të drejtë në përputhje me madhështinë e njërit prej futbollistëve më të mëdhenj të çdo epoke”, shprehet presidenti i Romës.
Toti u tërhoq nga futbolli dhe Roma e tij e dashur me 28 maj të vitit 2017, pas një jetë me dy ngjyra mbi supe dhe në zemër. Ai shënoi 307 gola në 570 ndeshje të zhvilluara me një bluzë të vetme, ndërsa ceremonia e lamtumirës së tij në ndeshjen kundër Xhenoas preku dhe emocionoi miliona tifozë të kësaj loje të bukur.